Pas dorëheqjes së Valdrin Pjetri si kryetar i bashkisë Shkodër, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama i cili i ka dalë “në mbrojtje” Pjetrit duke u shprehur se për ngjarjen e ndodhur 17 vite më parë kur ai ishte në moshë të rë nuk mund të cilësohet si një kriminel siç opozita pretendon.
Megjithatë kryeministri deklaroi në këtë reagim të tij në facebook se fshehja e ngjarjes nga ana e Pjetrit nuk mund të tolerohet. Rasti i Valdrin Pjetrit për kreun e qeverisë mund të bëjë që ligji të ketë ndryshime sepse partitë e kanë të pamundur të verifikojnë të dhënat individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit. Ja se çfarë shkruan kryeministri Rama:
“Valdrin Pjetri nuk është kriminel! Ai ka shërbyer në administratë si nëpunës korrekt qysh në kohën e qeverisjes së PD. Çfarëdo të ketë bërë 19 vjeç nuk e bën kurrësesi njeriun një kriminel! Por fshehja e ngjarjes është e patolerueshme dhe pasojat për Shkodrën të pajustifikueshme! Partitë nuk verifikojnë dot të dhëna individuale jashtë afateve të përcaktuara nga shtetet për dëshminë e penalitetit.
Ato merren vetëm me kërkesë nga policia ose prokuroria. Koha të fusim në ligj afate verifikimi shtetëror të kandidaturave para regjistrimit të tyre në zgjedhje! Një kandidat që gënjen në mirëbesim dhe në formularin e vetëdeklarimit s’mund të lerë në baltë zgjedhësit dhe partinë që e ka besuar. Ai duhet të përjashtohet nga gara pa mundur të regjistrohet në zgjedhje dhe ta marrë të plotë gjithë përgjegjësinë e vetëdeklarimit të rremë. Jo vetëm kaq,po është koha të nisë verifikimi shtetëror i të gjitha vetëdeklarimeve të politikanëve e punonjësve të shtetit që kanë firmosur.
Çdo vetëdeklarim i rremë duhet të sjellë përjashtim dhe dënim penal.Përgjegjësia individuale s’mund të ketë më asnjë fije kosto kolektive”.
Menjëherë pas dorëheqjes mësohet se Valdrin Pjetri tashmë ka nisur betejën e tij ligjore ndërsa këto ditë ka udhëtuar drejt Italisë, në qytetin e Firences aty ku ka ndodhur ndalimi i tij 17 vite më parë për të sqaruar atë ngjarje. Sipas burimeve Pjetri tashmë është marrë në mbrojtje nga një studio ligjore avokatie në Firence për t’i shkuar deri në fund ngjarjes së 17 viteve më parë.
Nga ana e saj ka reaguar edhe Prokuroria duke thënë se “Procesi i verifikimit ka nisur që më datë 6 gusht 2019. Shkresa iu dërgua zyrës së Gjendjes Gjyqësore dhe për verifikim edhe policisë. Pjetrit iu kërkua të depozitojë gjurmët daktoliskopike”, thuhet në reagimin e Prokurorisë. Në dorëheqjen e paraqitur në 15 gusht Valdrin Pjetri e cilësoi ngjarjen e ndodhur në vitin 2001 si një pakujdesi mes studentësh në Itali dhe se drejtimi i bashkisë
Shkodër ishte një ëndërr për t’i dhënë këtij qyteti atë që meriton. Kreu i opozitës Lulzim Basha pas dorëheqjes së Pjetrit tha se asgjë nuk ndryshon për Shqipërinë dhe se thjeshtë kemi një uzurpator më pak në bashkitë e vendit duke kërkuar largimin e Edi Ramës, si një kryeministër që opozitën e akuzon për lidhje me krimin dhe korrupsionin.