Partia Socialiste u tërhoq nga propozimi i bërë në fillim të 2018-ës për të ndryshuar rregulloren e Kuvendit që bënte të detyrueshme nga ana e Prokurorisë paraqitjen e provave për të marrë nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e deputetëve në rast të shkelje të ligjit.
Kjo nismë u propozua një vit më parë nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, por në mbledhjen e sotme të Komisionit të Ligjeve, kryetari Ulsi Manja u shpreh se PS-ja është tërhequr për të shmangur debatin politik.
Propozimi i PS-së synonte që në Rregulloren e Kuvendit të specifikohej që Prokuroria të japë prova në Këshillin e Mandateve kur kërkon arrestimin për një deputet. PD-ja u shpreh kundër këtij ndryshimi dhe asokohe pati një debat të madh mes shumicës dhe opozitës,
pasi në rastin e kërkesës së Prokurorisë për të arrestuar ish-deputetin Saimir Tahiri, deputetët e PS kërkuan paraqitjen e provave dhe nuk e dhanë autorizimin për arrestimin e tij, edhe pse, deputetët nuk gëzojnë imunitet.
Megjithë tërheqjen e PS-së nga ky propozim dy nenet e rregullores së Kuvendit, 118 dhe 119 për autorizimin për arrestimin e deputetëve pritet që të ndryshojnë nesër për të reflektuar ndryshimet Kushtetuese, ku nga një person me imunitet, tashmë deputeti nuk e gëzon më këtë privilegj