Tërhoqi paratë e nipit, gjyshi në gjyq për pastrim parash
Gati një dekadë pas vrasjes së Elton Deliut dhe nënës së tij në apartamentin ku banonin në dhjetor të 2008, ende vazhdojnë gjyqet mes familjarëve të tij për pronat dhe llogaritë bankare, që ai kishte krijuar. Në gjykatën e Tiranës është duke u gjykuar gjyshi i Eltonit, Adem Caushi, për akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Akuza nuk ka të bëjë me fshehjen e pronave apo llogarive bankare që dyshohen se ishin vënë nga Eltoni në mënyrë të kundraligjshme, por me marrjen e 260 mijë dollarëve nga gjyshi i Eltonit në llogarinë e nipit të vrarë. Sipas prokurorisë, llogaria në fjalë i takon vajzës së Eltonit, të cilën gjykata ia njohu pas vrasjes dhe për të cilën familjarët e Eltonit patën kundërshtimet e tyre. Por duke qënë se gjyshi i të ndjerit e kishte tërhequr më parë llogarinë prej 260 mijë dollarëve si trashëgimtari më i afërt i Eltonit, prokuroria ka ngritur ndaj tij akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale. Pasi trashëgimtarja e parë sipas gjykatës është e bija dhe jo gjyshi. Gjatë hetimit, Adem Caushi nuk ka dhënë asnjë shpjegim se ku kanë përfunduar 260 mijë dollarë, ndërsa pritet që shumë shpejt prokuroria të paraqesë pretencën ndaj të moshuarit Adem Caushi.