Një tërmet me magnitudë 4.1 ballë ka rënë mëngjesin e sotëm në vendin tonë. Paraprakisht Instituti i Gjeoshkencës IGJEUM njofton se epiqendra e tërmetit 4.1 ballë ka qenë në detin Adriatik afer Ishmit të Durrësit, kurse thellësia ka qenë 11 kilometër. Ndërsa sipas Qendrës Sizmiologjike të Europës së Mesdheut EMSC tërmeti i rënë ka qenë 4.5. Lëkundjet janë ndjerë në Durrës, Laç, Krujë dhe në Lezhë.
Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale nga lëkundjet por qytetarët janë shqetësuar. Sipas raportimit të Emergjencave Civile dhe ministrisë së Mbrojtjes nga tërmeti deri më tani s’ka asnjë dëmtim të banesave, pallateve, në të gjitha qarqet ku është ndjerë, përfshirë edhe epiqendrën që është Durrësi. Kujtojmë se 10 ditë më parë, u shënua 1 vjetori i tërmetit tragjik të 26 nëntorit të kaluar ku humbën jetën 51 persona, mbetën mbi 900 të plagosur, 17 mijë familje të pastreha, pasi toka u dridh nga lëkundje me magnitudë 6.4 të shkallës rihter, me thellësi 38 km, me epiqendër 22 km nga Durrësi dhe 30 km nga Tirana. Lëkundjet e tërmetit mëngjesin e sotëm në Ishëm të Durrësit, nuk kanë sjellë dëme materiale por kanë shqetësuar qytetarët. Në Durrës qytetarët e kanë përballuar mirë situatën dhe nuk janë vënë në panik.
Mesa duket janë mësuar me paslëkundjet që kanë shoqëruar vendin tonë që nga tërmeti i fortë i vitit të kaluar. Ndërkaq nuk raportohen dëme materiale në këtë zonë. Në Krujë lëkundjet krijuan panik te qytetarët pasi shumë pallate dhe godina të dëmtuara nga tërmeti i vitit të kaluar vijojnë të jenë në këmbë. Fatmirësisht as në këtë zonë nuk pati dëme materiale. Lëkundjet janë ndierë edhe në Lezhë, por më shumë janë dëgjuar në zonën e Kurbinit. As në këtë zonë s’ka dëme materiale, sipas raportimeve. Edhe këtu qytetarët janë shqetësuar sepse ka ende godina të dëmtuara nga tërmeti i vitiit të kaluar, por e kanë përballuar mirë situatën.
Kështu tërmeti 4.1 ballë në veri të Ishmit në Durrës nuk ka sjellë asnjë pasojë. Sizmiologu Edmond Dushi deklaroi se lëkundjet janë të zakonshme dhe nuk ka nevojë për panik. Sipas tij relaksimi tektonik i tokës do të dojë shumë kohë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar.