Një tërmet i fortë me magnitudë 4.8 ka rënë në orën 05:10 në Firence të Italisë. Epiqendra ka qenë 3 km në jug-perëndim të komunës së Marradi, në Mugello. Tronditja është ndjerë në Firence, por edhe në të gjithë rajonin dhe në Emilia-Romagna dhe Marche.
Mediat vendase raportojnë se nuk ka dëme materiale apo njerëz të lënduar, por mësohet se qindra qytetarë kanë dalë rrugë pas tërmetit dhe Mbrojtja Civile po ushton kontrolle.
“Ka shumë shqetësim, shumë njerëz në rrugë, por nuk raportohet për dëme të veçanta”, pohoi për Raineës24 kryebashkiaku i Marradit, Tommaso Triberti.
“Nuk ka dëme të konsiderueshme, ka pasur shumë frikë, me njerëz në rrugë. Kontrollet do të vazhdojnë gjatë gjithë ditës, por nuk ka raportime për persona të lënduar apo dëme të veçanta”, ka thënë kreu i Departamentit të Mbrojtjes Civile Fabrizio Curcio për Sky Tg24.
Si masë paraprake, sot në Marradi shkollat e të gjitha niveleve do të qëndrojnë të mbyllura. Presidenti i Rajonit Eugenio Giani shkroi në rrjetet sociale: “Për momentin nuk ka situata veçanërisht kritike. Kontrollet në ndërtesa dhe struktura do të vazhdojnë”.
Probleme ka pasur edhe në rrjetin hekurudhor. Dy linja u ndërprenë, seksioni nga Pontassieve në Borgo San Lorenzo dhe midis Firences dhe Vaglias në drejtim të Faenza. Për më tepër, linja e shpejtësisë së lartë u devijua në itinerarin e vjetër të drejtpërdrejtë që kalon nga Prato.
Thirrje të shumta ka pasur në sallën e operative nga qytetarë të frikësuar. Raportimet për dëme janë duke u hetuar. Pasdite është planifikuar vizita e Presidentit të Republikës Sergio Mattarella në Forlì, për hapjen e vitit shkollor.