Një tërmet është regjistruar këtë mëngjes në Itali. Epiqendra e tërmetit ishte në bregdetin Pesaro Marche në një thellësi prej 8 kilometrash dhe me magnitudë 5.7 ballë.
Tërmeti u ndje në të gjithë Italinë qendrore dhe u pasua më pas edhe nga lëkundje të tjera herë pas here. Tërmeti u ndje edhe në Romë, Firence, Bolonja dhe në veri të Italisë, deri në Trentino.
Për shkak të tërmetit është pezulluar lëvizja me tren në afërsi të Ankonës, pasi dyshohet se janë dëmtuar binarët e hekurudhës dhe do kryhen kontrolle. Në zonën e Ankonës, tani për tani, janë raportuar çarje në mure, klinika Villa Igea është evakuuar.
Shumë njerëz të frikësuar kanë dalë në rrugë. Të gjitha ekipet e zjarrfikësve, veçanërisht në zonën e Pesaros, por edhe në Ankona, janë jashtë për kontrolle.
Kryebashkiaku i Senigallia ka urdhëruar mbylljen e shkollave të të gjitha niveleve për të verifikuar nëse ndërtesat kanë pësuar dëmtime në strukturë.