Të shumta kanë qënë donacionet e dhëna në ndihmë të personave të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, ku së bashku me shqiptarët për tejkalimin e kësaj tragjedie janë solidarizuar dhjetra shtete të tjera Europiane dhe më gjerë.
Po ashtu, një shumë prej 500 mijë eurosh është dhuruar nga Kryesia e Konferencës së Ipeshkvëve italianë, për viktimat e tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë në 26 nëntor, me epiqendrën e tij midis Shijakut dhe Durrësit.Mësohet se, donacioni do të bëhet përmes “Caritas Italia”, i cili do t’i raportojë Shërbimit për Ndërhyrje Bamirëse në favor të Botës së Tretë.
Ndërsa Ambasada amerikane në Shqipëri, në faqen e saj në Facebook shkruan se USAID ka nisur për në Shqipëri ekipe emergjencash nga Departamenti Zjarrfikës dhe Shpëtues i kontesë Fairfax dhe Departamenti Zjarrfikës i kontesë së Los Angeles. Këta ekspertë do të ndihmojnë në koordinimin e ekipeve ndërkombëtare në vlerësimin e dëmeve, për të përcaktuar nëse ndërtesat dhe infrastruktura kritike në zonat e prekura janë të sigurta”.
Edhe Dhoma e tregtisë së Serbisë ka aktivizuar shumicën e dhomave simotra të rajonit dhe deri tani 10 mijë biznese vetëm në Serbi, kanë premtuar të japin donacione.Ndërkohë që Qeveria e Katarit ka ndarë 20 milion euro pas tërmetit që goditi Shqipërinë.
Pas Emirateve Arabe me 3 milion Euro, Vatikanit me 100 mijë euro, Greqisë me 2 milion dhe afër 8 milion nga Kosova, kalohet shifra prej mbi 35 milion euro, shkruan Gazeta NewBorn.
Edhe bota e sportit është solidarizuar gjithashtu me Shqipërinë. Klubi i Malagës në Spanjë, ku aktivizohen edhe dy futbollistët shqiptarë Keidi Bare e Armando Sadiku, përpara se të luanin përballë Numancian në transfertë, të gjithë futbollistët e Malagës kishin shkruar në bluza “Lutuni për Shqipërinë”.Slogani “Pray for Albania/ Lutuni për Shqipërinë” ishte ndër më të përdorshmet për situatën e tërmeteve në vend.
Edhe në Milano, në sheshin “Piazza Duomo” janë ndezur qirinj në shenjë solidarizimi për viktimat e tërmetit të së martës më 26 nëntorit 2019. Me zemrën e ndërtuar nga qirinjtë dhe në mes të flamurin shqiptar, dhjetëra njerëz janë solidarizuar me Shqipërinë.