29 persona janë ende në spital nën kujdesin e mjekëve pas plagëve që kanë marrë pas tërmetit të 26 nëntorit. Zyra Qendrore e Operacioneve për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore në një deklaratë për shtyp bën të ditur se grupet e punës po punojnë me intensitet të lartë në terren për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit. Në këtë njoftim thuhet:

“Sot është dita e gjashtë pas tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, i cili solli tragjedinë e humbjes së jetës për 51 bashkëqytetarët tanë, dhe shkaktoi të lënduar dhe dëme të mëdha në shumë banesa në bashkitë Durrës, Krujë, Shijak, Kurbin, Tiranë, Kamëz, Vorë, Lezhë. Gjatë ditës së sotme u miratuan nga Këshilli i Ministrave paketat e ndihmës për familjet e

51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, që përfshijnë strehimin e menjëhershëm të familjarëve, pensione speciale, si dhe mbulimin e shpenzimeve për ceremonitë mortore. Janë kontaktuar familjet e 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit për të diskutuar me ta hapat konkretë për strehimin e tyre të menjëhershëm dhe fillimin e procedurave për

marrjen e pensioneve speciale. Vijojnë të marrin ndihmë mjekësore 29 persona nga të cilët 22 në Spitalin e Traumës, 4 në Spitalin e Durrësit dhe 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim. Numri i qytetarëve të strehuar në struktura hoteliere në Durrës, Shëngjin dhe Kavajë ka arritur në 2633 dhe të pastrehët janë sistemuar në hotele. Ka vazhduar

shpërndarja e ushqimeve, veshjeve, barnave, produkteve higjenike, për të gjithë qytetarët e akomoduar në hotele dhe për ata që kanë zgjedhur të qendrojnë në çadra pranë shtëpive të tyre, kryesisht në zonat rurale ndërsa ofrohet edhe shërbim mjekësor dhe psiko-social dhe përgatitja e fëmijëve për në shkollë apo prindërve në punë. Grupi i Ekspertëve të

Vlerësimit të Banesave i përbërë nga 70 ekspertë inxhinierë vendas dhe të huaj, të organizuar në 11 grupe, mbështetur edhe nga Mekanizmi i Përbashkët i Emergjencave Civile të Bashkimit Europian dhe Kombeve të Bashkuara, vazhdoi vlerësimin teknik të

ndërtesave duke e çuar në 400 numrin e objekteve të vlerësuara. Po vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti në bashkinë Durrës, mbi bazën e vendimeve të këshillit bashkiak, sipas vlerësimit teknik zyrtar të ekspertëve. Në qarkun Durrës janë prishur 12 banesa të shkatërruara dhe 5 të tilla në bashkinë Krujë”.

Artikulli paraprakTËRMETI, TË STREHUARIT NË SHKODËR I DREJTOHEN SPITALIT
Artikulli tjetërSITUATA PAS TËRMETIT, META TAKIM ME EKSPERTË DHE PROFESORË: ANGAZHOHUNI PËR TË INFORMUAR DHE QETËSUAR OPINIONIN PUBLIK