Një tërmet prej 5.8 ballësh ka goditur mëngjesin e sotëm ishullin e Kretës në Greqi, sipas Qendrës Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC). Epiqendra e tërmetit ishte 246 kilometra (153 milje) në juglindje të kryeqytetit grek, Athinës.
Ishulli më pas u trondit nga katër tërmete të tjerë më të vegjël, më i madhi që u regjistrua ishte 4.6 dhe goditi rreth 20 minuta pas të parit.
Ndërkohë që autoritet paralajmëruan qytetarët se mund të ketë lëkundje të mëtejshme.
Banorët e qytetit të Heraklion dolën me nxitim në rrugë dhe mediat vendase raportuan për disa dëme materiale, kryesisht me shembjen e mureve të ndërtesave të vjetra prej guri në fshatrat pranë epiqendrës së tërmetit në pjesën lindore të ishullit. Ndërkohë që të gjithë fëmijët janë evakuuar nga shkollat dhe para se fëmijët të kthehen në shkolla ato do të kontrollohen për dëmtime strukturore.
Kryebashkiaku i Heraklion, Vassilis Lambrinos deklaroi për mediat vendase se nuk kishte raporte të menjëhershme nga shërbimet e urgjencës për ndonjë dëmtim të rëndë.
Rajoni përjetonte jo rrallëherë tërmete, i fundit ishte tërmeti në 31 tetor të vitit të kaluar ku një tërmet me magnitudë 7.0 në Detin Egje, vrau 37 njerëz në qytetin bregdetar turk të Izmirit dhe dy fëmijë në ishullin grek të Samos.