Në qytetin e Durrësit po vazhdon vlerësimi i dëmeve të tërmetit në brendësi të gjithë lagjeve. Inxhinierët e bashkisë po ndihmohen nga ekspertë të huaj gjatë inspektimeve për gjendjen e banesave.
Banorët e pastrehë janë ende të shqetësuar për vështirësitë e dimrit, ndërsa autoritetet pohuan se janë duke siguruar mbrojtjen e tyre afatshkurtër si dhe kujdesin për një periudhë afatmesme. Inxhinieri Adnand Toçilla thotë se secili grup arrin të kontrollojë rreth 20 ndërtesa në ditë, por kjo varet nga madhësia e pallateve dhe vështirësitë e banesave.
“Dëmet janë të mëdha edhe në rajonin 3, por deri tani nuk kemi shpallur asnjë objekt për të shembur. Kemi shënuar disa pallate që të mos hyjnë banorët. Tërmeti ka nxjerrë në dritë shumë gabime ndërtimi” – tha inxhinieri shqiptar.
Grupet e kontrollit të ndërtesave në Durrës përbëhen zakonisht nga 2 inxhinierë shqiptarë të bashkisë dhe nga një ose dy inxhinierë të huaj, që bëjnë së bashku vlerësimin e gjendjes së objekteve. Puna për fazën e parë vazhdon pa ndërprerë në secilën lagje.
Muslim Hasanaj, administrator bashkiak i rajonit 3, thotë se për fat të mirë kjo lagje nuk ka humbje jetësh njerëzore, por dëmet në ndërtesa po verifikohen një për një edhe sipas ankesave me telefona, edhe sipas radhës.
“Pallatet e shënuara me ngjyra dhe shirita nuk duhet të hyjnë njerëzit brenda kategorikisht. Ata banorë duhet të shkojnë në bashki dhe të marrin dokumentat për t’u strehuar nëpër hotele.
Kjo është vetëm faza e parë e verifikimit, ndërsa në fazën e dytë do të rregullohen të gjitha banesat dhe qytetarët do të jenë të mbrojtur” – tha zoti Hasanaj. Por banorët janë ende shumë të shqetësuar. Ata gjithë ditën u vijnë rrotull pallateve të plasura dhe në mbrëmje flenë ose në makina, në hotele ose në banesa të miqve.
“Sapo e kisha marrë tapinë pas 14 vjetëve, – tha pensionisti Vlash Xharja. – Kursyem gjithë jetën dhe tani jemi në qiell të hapur në mes të dimrit”. Një tjetër banore e një pallati të dëmtuar rëndë, Vojsava Xhakoni, thotë se autoritetet duhet të ndërmarrin kontrolle dhe vendime të shpejta.
“Nuk dimë se si të bëjmë. As nuk mund të ikim, as nuk mund të rrimë. Presim kontrolle dhe askush nuk na e ndan zgjidhjen. Të ikim? Po ku të ikim? Të gjitha i kemi brenda nëpër pallate” – tha zonja Xhakoni.
Ermir Llukaj, banor i rajonit 3, thotë se po fle me fëmijët në automjet, përpara pallatit të shkatërruar. “Hyra mes rrezikut dhe e pashë vetë. Një kolonë brenda në shtëpi është thyer në mes. Jam me familjen në mes të rrugës, dhe zgjidhjen e pres nga shteti” – tha zoti Llukaj.
Durrësi është aktualisht në mes të vështirësive të mëdha, mijëra familje kanë mbetur pa strehë. Megjithatë, dita ditës po bëhen përpjekje për të dalë nga kjo situatë e rëndë. Kthimi në jetën normale është një sfidë e vërtetë në qytetin bregdetar, i cili u godit fort nga tërmeti i 26 nëntorit.