Tragjedia e 26 nëntorit vazhdon të nxjerrë në pah frymën e jashtëzakonshme të solidaritetit nga shumë shtete, individë dhe organizata.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe njëkohësisht Kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të saj, Gent Sejko ka deklaruar se FMN ka vendosur një kontribut deri në 87 milionë euro, në dispozicion për Shqipërinë.
Organizata shqiptaro amerikan ‘Global Albanians’ ka arritur deri tani të mbledhë 150 mijë dollarë për të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Qëllimi i drejtuesve të organizatës është që deri në fund të vitit do arrijnë të mbledhin 1 milionë dollarë.
Ndërsa Agjencia turke e bashkëpunimit dhe e koordinimit, TIKA, që prej ditës së parë të tërmetit ka qenë pranë banorëve me ndihmë materiale gjatë gjithë këtyre ditëve.
Shqiptarët e Plavës dhe Gucisë në Malin e Zi po angazhohen në mbledhjen e ndihmave materiale dhe fondeve finaciare në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. Me moton ‘Ndihma jonë e vogël, ka vlerë të jashtëzakonshme’, ata kanë hapur dy pika grumbullimi ndihmash.Në dhënien e ndihmave janë përfshirë edhe fëmijët e shkollave.
Kryqi i Kuq i Malit të Zi ka mbledhur 42.5 mijë euro në llogarinë e saj bankare për të ndihmuar popullsinë shqiptare të prekur nga tërmeti.
Sipas zëdhënësit të saj, fondi i mbledhur do t’i përcillet Kryqit të Kuq të Shqipërisë.
Shoqata e Kretës në Greqi është solidarizuar në ndihmë të të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit.Në këto ditë kritike për vendin tonë, grekët po ndihen më të afërt se kurrë me shqiptarët.Ata kanë organizuar fushata solidarizimi për mbledhjen e ndihmave dhe vlerave monetare për të prekurit nga tërmeti.