Një tragjedi të vërtetë ka shkaktuar tërmeti i rënë në Shqipëri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Për momentin në zonën e Durrësit ku ka qenë epiqendra e tërmetit prej 6.4 ballësh por edhe në qytete të tjera të prekura numërohen 15 viktima që kanë humbur jetën dhe mbi 600 të plagosur. Qytetet më të prekura janë Durrësi, njësia administrative e Thumanës dhe qyteti i Lezhës. Viktima janë në Durrës, Thumanë dhe një tjetër në zonën e Kurbinit.
Disa prej këtyre viktimave u gjetën nën rrënoja pas shembjes së godinave të ndryshme nga lëkundjet e tërmetit. Qindra familje vijojnë të jenë nën panic për shkak se ka ende persona që ndodhen nën rrënoja. Grupet e shpëtimit të ardhur nga e gjithë Shqipëria por edhe disa shtete po punojnë për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish nga kjo situatë tragjike që ka tronditur Shqipërinë.
Të gjitha strukturat e shtetit shqiptar janë vënë në lëvizje duke i ardhur në ndihmë zonave më të prekura nga tërmeti. Goditjet nga tërmeti kanë nisur që mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 për të vijuar me disa lëkundje të ndryshme ndërsa goditja fatale që shkaktoi viktima dhe qindra të plagosur u shënua në orën 3:54 të mëngjesit. Tërmetet vijuan edhe me disa goditje të tjera ndërsa disa orë më pas pati edhe një lëkundje tjetër prej 5.5 ballësh. Orët e para kanë qenë vërtetë orë paniku sepse mijëra vetë në Shqipëri ndodheshin në një kaos dhe frikë të madhe duke mos ditur se si të reagojnë.
Shumë qytetarë kanë lënë shtëpitë e tyre duke e kaluar natën jashtë në mes të rrugës për shkak të frikës së shkaktuar nga ky tërmet tronditës. Pak minuta pas tërmetit u mor vesh për dëmet e mëdha të shkaktuara. Teksa orët kalonin numri i viktimave erdhi duke u rritur dhe deri tani numërohen 15 ndërsa për shumë të tjerë ende nuk dihet fati i tyre nëse janë gjallë apo jo nën rrënoja.
Ndihma e parë ka ardhur nga vetë të afërmit dhe familjarë të tjerë të cilët janë alarmuar pas tërmetit të rënë duke kërkuar të dinë mbi gjendjen shëndetësore e më pas duke ofruar ndihmën e tyre. Më pas që herët strukturat e emergjencës dhe gjithë institucionet e tjera janë vënë në lëvizje teksa zjarrëfikëset, spitalet, policia, grupet e shpëtim kërkimit kanë dhënë ndihmën e tyre ndërsa për të paktën dy ditë është ndërprerë procesi mësimor.
Pamjet që ofrohen në rrjetet sociale, në media të ndryshme janë vërtetë rrënqethëse për të gjithë. Zëra të pafundëm që kërkojnë ndihmë dhe britma familjarësh për humbjen e jetëve të të afërmve të tyre dhe shumë të tjerë që nën rrënoja janë munduar që të komunikojnë përmes celularëve për të treguar se janë ende gjallë. Situata vazhdon që të jetë alarmante dhe dhimbja është e madhe pas këtij tërmeti që shkaktoi këtë tragjedi.