LIGJI I RI, KUSHTËZON EDHE PREZËNCËN E PARLAMENTARËVE TË VEGJËL.Në shkallë vendi do të ketë 1785 këshilltarë të bashkive. Në bazë të përllogaritjeve të kryera nga të dhënat e ofruara nga ministria përkatëse mbi numrin e popullsisë të 61 bashkive të reja dhe të ligjit që përcakton kriteret për numrin e “parlamenteve” lokale, rezulton se numri i anëtarëve nuk do t’i kalojë 1800 vetë. Tirana,

me një popullsi prej 757 361 banorësh, do të ketë sipas përcaktimit të qeverisë 65 anëtarë të këshillit. Ky do të jetë dhe numri maksimal që do të ketë kryeqyteti shqiptar dhe i vetmi në shkallë republike. Qeveria ka përcaktuar numrin e këshillave që variojnë me 15, 17, 25, 35, 45, 55 dhe 65 anëtarë. Kjo, në varësi të numrit të popullsisë. Vetëm tri bashki do të kenë 55 anëtarë të këshillit, ato janë Shkodra, Elbasani dhe Durrësi. Ndërsa gjashtë bashkitë Lezhë, Kamzë, Fier, Lushnjë, Korçë dhe Vlorë do jenë me 45 këshilltarë. Bashkitë Libohovë dhe Pustec janë njësitë që kanë numrin më të vogël të këshilltarëve. Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, këto dy njësi vendore do të kenë nga 15 anëtarë. Ndërsa 10 njësitë vendore do të jenë me nga 17 anëtarë, duke përfshirë gjithsej 170 këshilltarë. Më shumë se gjysma e njësive të reja të qeverisjes vendore do të kenë numrat e “parlamenteve” lokale me nga 25 dhe 35 këshilltarëve. Kështu, 28 njësi vendore do të përbëhen me nga 25 këshilltarë, ndërsa 11 të tjera me nga 35 këshilltarë. Qeveria aktualisht paguan pagat e 6500 këshilltarëve për komunat e bashkitë. Gjithsej janë 380 njësi të qeverisjes vendore, për të cilat shteti shqiptar, veç pagës së kryetarit paguan dhe anëtarët e këshillave. Shkrirja e bashkive dhe komunave nga ndarja administrative synonte që të ulte numrin e kostove, të cilat qeveria i jepte vetëm pagat e punonjësve apo të këshilltarëve. Sipas studimit të kryer nga ekspertët, “pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit vendor janë shpenzime për personel, ndjekur nga shpenzime operative dhe mirëmbajtjeje. Pesha e investimeve nga fondet e pakushtëzuara të buxhetit vendor (të ardhurat e veta dhe transferta e pakushtëzuar) është rritur që nga vitet 2002, kur ishte më pak se ¼, në rreth pothuaj 45% në vitin 2009, por është ulur në mënyrë drastike sërish në vitet e fundit (26% në 2012). Megjithatë, buxhetet nga transferta e pakushtëzuar dhe të ardhurat e veta shërbejnë kryesisht për të financuar ndërhyrje relativisht modeste në infrastrukturën vendore (pjesa dërrmuese, ndërhyrje në rrugë), ndërkohë që për investime më të mëdha, pjesa dërrmuese e njësive vendore varen nga transfertat nga buxheti qendror (apo fonde të tjera investimesh, si Fondi Shqiptar i Zhvillimit)”.

Artikulli paraprakSHTËPITË PËR STADIUMIN DO SHEMBEN
Artikulli tjetërTENIS, ZHVILLOHET TURNEU “SHKODRA INDOOR 2014”