Me një aksion të zgjeruar në dhjetë lande gjermane, policia ka vepruar kundër të dyshuarve si mbështetës të IS-it, të ashtuquajturit “Shtet Islamik”.
Sipas informacioneve të Agjencisë Gjermane të Lajmeve, DPA, janë kontrolluar më shumë se 200 banesa dhe zyra të mbështetësve dhe organizatorëve të organizatës salafiste, “Religioni i vërtetë”, që merret edhe me aksionin e kontestuar të shpërndarjes së Kuranit në disa qytete gjermane, “Lexo!” Salafistët mbështesin islamin veçanërisht konservator, refuzojnë demokracitë perëndimore dhe duan një rend islam, ku të zbatohet sharia. Pikërëndesa e aksionit policor që filloi të martën (15.11) herët ndodhej në landin e Hessenit, ku pati 65 kontrolle, 15 prej tyre në Frankfurt am Main. Po ashtu kontrolle u zhvilluan edhe në Berlin, në landin e Bavarisë dhe Renani-Veriore Vestfali. Sipas informacioneve të dpa-së, ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere pritet të ndalojë aksionin e shpërndarjes së kuranit nga organizata “Religioni i vërtetë” në zona këmbësorësh. Autoritetet i cilësojnë këto aksione antikushtetuese. Në fokus të “Mbrojtjes Kushtetuese” Enti i “Mbrojtjes Kushtetuese” akuzon pjesëtarët e simpatizantët e organizatës “DWR”, “Religioni i vërtetë” për glorifikim të atentateve terroriste dhe xhihadit. Kjo organizatë shërben edhe si strukturë rekrutuese për xhihadistët. Sipas informacioneve nga qarqet e sigurisë, së paku 140 përkrahës dhe aktivistë të aksionit shpërndarjes së të kuranit “Lexo! kanë shkuar në Siri dhe Irak. Ndalimi i organizataës islamiste, thuhet nuk ka për qëllim ndalimin e shpërndarjes së besimit të islamit, por ndalimi synon keqpërdorimin e islamit përmes aktivistëve, që propagandojnë ideologji ekstremiste dhe mbështesin organizata terroriste.