Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, thirri në një mbledhje të veçantë Këshillin e Sigurisë Kombëtare, lidhur me situatën e krijuar si pasojë e sulmeve terroriste të ditëve të fundit.
Në takimin që u mbajt me dyer të mbyllura, morën pjesë veç Kryeministrit Rama dhe Kryeparlamentarit Meta, Shefi i Shërbimit Informativ Shqiptar, Visho Ajazi Lika, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Jeronim Bazo, Ministri i Jashtëm Bushati, ai i Financave Cani, si dhe Ministri i Energjitikës, Gjiknuri. Të pranishëm ishin edhe kreu i Komisionit Parlamentar për Sigurinë, Spartak Braho dhe Guvernatori i Bankës Gent Sejko. Kreu i Shtetit dhe njëkohësisht, Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, theksoi se në këtë situatë kërcënuese, edhe Shqipëria si anëtare e NATO -s dhe kandidat për në Bashkimin Evropian, pjesë e koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit, ka detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përkatëse. Presidenti Nishani nënvizoi nevojën se në këtë situatë, institucionet e shtetit duhen të lëshojnë mbi të gjitha mesazhe të palëkundura garancie dhe stabiliteti për t’i siguruar qytetarët se nuk ka vend për panik dhe se janë marrë masat e nevojshme parandaluese dhe se janë ngritur dhe janë plotësisht operacionalë, mekanizmat e reagimit e të përballjes me rrezikun e sulmeve të mundshme. Presidenti Nishani vlerësoi masat e marra nga qeveria, si dhe angazhimet shumë serioze të agjencive ligjzbatuese në vend, për të bashkërenduar veprimet konkrete edhe me partnerët në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Kreu i Shtetit vuri në dukje se, në vijim të konkluzioneve të Këshillit Evropian për luftën kundër terrorizmit, Shqipëria është plotësisht e angazhuar në kontrollin e kufijve në rast të ndryshimit të fluksit të korridorit të emigrantëve dhe për parandalimin e trafikimit të armëve, edhe në kuadër të platformave rajonale për këtë qëllim.