Shërbimet sekrete kanë alarmuar Europën me njoftimin e tyre te fundit. Sipas tyre nga 60 deri në 80 terroristë të ISIS ndodhen në Europë, gati për të ndërmarrë sulme.
Alarmi vjen nga shefi i Antiterrorit në Holandë, Dick Schoof, mbi bazën e informacioneve të shërbimeve të inteligjencës. Në një intervistë për “Associated Press”, Schoof tha se Shteti Islamik po u përcjell luftëtarëve të mundshëm mesazhin që të mos udhëtojnë drejt Sirisë dhe Irakut, por të përgatisin sulme në kontinentin e vjetër. Sipas tij, përgjatë 6 muajve të fundit numri i luftëtarëve të huaj terroristë nuk ishte rritur, por fakti se ata nuk po udhëtojnë më nuk nënkupton se rreziku potencial i atyre që kanë mbërritur në Europë më herët është reduktuar. Operacionet ushtarake për të larguar militantët nga kalifati i vetëshpallur në Siri dhe Irak po ndikojnë në shpërndarjen e luftëtarëve dhe mbështetësve të grupit ekstremist. Kjo me shumë gjasë do të çojë drejt një rritjeje graduale të refugjatëve që do të përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare të vendeve europiane. Sipas zyrtarit holandez, nga 4 mijë deri në 5 mijë terroristë gjenden në Irak dhe Siri.