“Kontrapunkti, energjia e tingullit” është koncerti që u shfaq në teatrin “Migjeni” në kuadër të tetorit gjerman. Instrumentistët e njohur, Elvis Rudi në flaut dhe Marin Gjollma në piano sollën në këtë koncert vepra të kompozitorëve të njohur botëror të muzikës klasike. Dy artistët për shkak të sfidave në ditët e sotme me përballjen e muzikës kaotike shprehen se përcjellja e muzikës serioze tek të rinjtë kryesisht mbetet gjithnjë një detyrë e artistëve.
Pianisti Gjollma ka një lidhje të ngushtë me Shkodrën për shkak të një prej figurave të mëdha të këtij qyteti, pianisti i ndjerë shkodran Tonin Guraziu, i pari që zhvilloi një koncert recital në Shqipëri si dhe themelues i katedrës së pianos në Liceun Artistik dhe Institutin e Arteve që sot është Universiteti i Arteve. Ajo që shqetëson pianistin Gjollma është harresa ndaj figurave si Tonin Guraziu.
Koncerti në teatrin “Migjeni” nga Elvis Rudi dhe Marin Gjollma në kuadër të tetorit gjerman përmbajti vepra nga Friedrich, Handel, Schumann, Sigfrid Karg Elert, Ravel dhe Doppler.