Tetova është në zi për viktimat që shkaktoi përmbytja. Mijëra qytetarë u dhanë lamtumirën viktimave Ritan Ahmeti 1 vjec e gjysmë, Anisa Muaremi 14 vjeçe dhe Ashim Fazlia 80 vjeçar. Ekipet e pastrimit bashkë me banorët, menjëherë pas pastrimit të rrugës kryesore në Shipkovicë kanë pastruar edhe rrugën e varrezave të fshatit për të përcjellë viktimat e katastrofës natyrore. Ndërkaq ekipet e shpëtimit vijojnë ende kërkimet nën gërmadha pasi disa persona rezultojnë të zhdukur me shpresën se do të ketë ndonjë mrekulli.
E zhdukur ende rezulton një 6 vjecare motra e Ritonit të vogël që mbeti viktimë e përmbytjeve. Këshilli i Komunës së Tetovës shpalli datat 5 dhe 6 gusht ditë zie në nder të viktimave e familjeve të tyre. Zonat më të goditura ishin Shipkovica dhe Reçica e Tetovës, ku pati viktima, mes tyre tre fëmijë. Ndërsa në terren konstatohen edhe dëme të mëdha materiale. Në rajonet e përmbytura vazhdon operacioni i pastrimit të rrugëve dhe terrenit, ku janë grumbulluar mbetjet e bartura nga lumenjtë. Qeveria ka vendosur kompensimin e dëmeve për gjithë banorët që u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore. Me një vendim qeveritar është vendosur edhe një ndihmë fillestare prej 1000 euro nga Qeveria. Deri tani vlerësohen 200 objekte të dëmtuara. Ndërkohë, ka vazhduar aksioni humanitar për të ndihmuar banorët e kësaj zone me ushqime e veshmbathje. Autoritetet komunale të Tetovës kanë vlerësuar se në fshatrat Reçicë e Vogël, Poroj, Gjermë dhe afër banjës së Tetovës uji aktualisht nuk është i pijshëm. Është bërë apel që të përdoret vetëm uji i ambalazhuar. Gjithashtu, komuna iu ka bërë thirrje edhe qytetarëve që të ndihmojnë në çfarëdo forme të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, përmes donacioneve, ushqimeve, ujit dhe preparateve higjienike, ose të marrin pjesë vullnetarisht në procesin e pastrimit të rrugëve, oborreve dhe shtratit të lumit në zonat kritike të dëmtuara nga vërshimet.