Vllaznia do ta ketë ndeshjen e radhës të saj përballë Teutës në transfertë. Zyrtarisht është vendosur që kuqeblutë të luajnë me 7 shkurt përballë durrsakëve në ora 17:00.
Natyrisht që për Vllazninë por edhe për Teutën gjithashtu do të jetë një ndeshje e vështirë. Të dy këta skuadra vijnë në role të kundërta. Teuta ka favor faktorin fushë përballë shkodranëve por gjendja e tyre morale nuk është më e mira e mundshme. Ekipi bregdetar humbi në javën e kaluar përballë Flamurtarit me rezultatin 0-1 në Vlorë ndaj vlonjatëve të cilët diskutojnë mbijetesën këtë sezon sidomos në këtë pjesë të dytë të kampionatit. Në këtë mënyrë Teuta do të kërkojë medoemos një rezultat pozitiv përballë Vllaznisë sepse është në luftë për vendin e tretë dhe një hap i gabuar nuk i lejohet. Nga ana tjetër shkodranët, ndryshe nga kundërshtarët e tyre më në fund kanë arsye që të futen në fushën e lojës edhe pse luajnë në transfertë me moralin lart. Kuqeblutë arritën që javën e kaluar të fitojnë ndaj Skenderbeut, skuadrës që kryeson renditjen në Superligë. Fitorja 1-0 përballë korçarëve i jep më shumë motiv Vllaznisë. Gjithsesi trepikët e marra ndaj Skenderbeut mund të kthehen në një boomerang. Ajo që kërkon edhe vetë stafi teknik me në krye trajnerin Armando Cungu është që futbollistët e Vllaznisë të jenë me këmbë në tokë dhe të shmangin euforinë sepse mund të jetë e dëmshme. Teuta-Vllaznia historikisht ka qenë një përballje që ka dhuruar emocione dhe e tillë pritet edhe ndeshja e radhës mes tyre. Vllaznisë i mungojnë Sefa e Krymi për shkak të kartonëve por do të zëvendësohen nga Tafili dhe malazezi Rudoviç. Shkodranët do të tentojnë të marrin një rezultat pozitiv edhe pse nuk është aspak e lehtë në transfertë në sfidën ndaj Teutës.