Thaçi: Kuvendi të formojë ushtrinë, qëndrimi i Stoltemberg i papranueshëm
Duke theksuar se procesi për krijimin e ushtrisë së Kosovës nuk është i njëanshëm, presidenti Hashim Thaçi gjatë një daljeje të posaçme për këtë çështje, tha se Serbia nuk do ta pranojë kurrë këtë vendim dhe se ai ndërmerret nga institucionet legjitime të Kosovës. Thaçi: Për tri vite me radhë jemi munduar të koordinojmë këtë vendim me deputetët serbë në Kosovë dhe ata kanë bërë të qartë se kurrë nuk do ta votojnë Ushtrinë e Kosovës dhe ky qëndrim i deputetëve serb është i urdhëruar nga Serbia. Nëse dikush mendon se duhet të ketë koordinim me Serbinë, diçka e tillë ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Kosova është vend i pavarur dhe vendimet i marrim vetë. Serbia është vetëm vend fqinj. Në rast se sekretari i NATO-s e konsideroi iniciativën tonë të njëanshme, për shkak se Serbia nuk pajtohet me veprimet tona, e konsideroj krejtësisht të papranueshme sepse fati i Kosovës dhe ushtrisë sonë nuk mund të mbetet peng i vullnetit të Serbisë në asnjë rrethanë dhe në asnjë çmim. Thaçi tha se aktorët politikë po bëjnë punën e tyre për përmbylljen me sukses të procesit dhe se FSK-ja do të shndërrohet në një ushtri moderne. Thaçi: Ju takon deputetëve të Republikës së Kosovës që të marrin vendimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës që FKS-ja të transformohet në Ushtrinë e Kosovës. Unë si President jam i bindur se deputetët nuk do ta lënë vendin pa ushtri. Më herët, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kërkuan nga Kosova që të mos ndërmarrë vendime të njëanshme dhe se shndërrimi i FSK-së ushtri duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese të vendit.