Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përsëriti përsëri idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Ai tha se nëse BE vazhdon me politika diskriminuese ndaj Kosovës, duhet parë alternativa e bashkimit.
Hashim Thaçi: Po që Medvegja, Presheva, Bujanovc i bashkëngjiten territorit të Kosovës, por pa u cenuar asnjë centimetër i territorit të Republikës së Kosovës.
E theksova edhe dje edhe sot, është një projekt që duhet të punojmë të gjithë. Unë mendoj që asnjëherë nuk ka qenë më afër së realizuari kjo objektivë.
Sa më tepër që po vonohet Bashkimi Evropian me politikën e vet diskriminuese, poshtëruese dhe ofenduese për qytetarët e Kosovës për liberalizim të vizave, duhet të shikojmë edhe alternativa që qojnë drejt një bashkimi definitiv, përfundimtar Kosovë-Shqipëri duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanovcin.
Realizimi i projektit të bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por duhet vullnet e dy qeverive tona.
Thaçi tha se projekti i bashkimit kombëtar është më i lehtë se sa ka qenë i çlirimit të Kosovës, por që sipas tij për këtë duhet vullnet i dy qeverive. Teksa ka përmendur idenë e tij për bashkim kombëtar, ka shtuar edhe idenë tjetër, atë të bashkimit të Kosovës me Preshevën, Medvegjën e Bujanocin.
Ai tha se ndërkombëtarët e izoluan Kosovën dhe si kundërpërgjigje do të bashkohen me Shqipërinë dhe Luginën e Preshevës.
Deklaratat e Thaçit u bënë gjatë ceremonisë së dekorimit me urdhrin ”Hero të Kosovës”, dëshmorët e betejës së Pashtrikut.