Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka pranuar për herë të parë mundësine e shkëmbimit të territoreve, si pjesë e arritjes dhe përmbushjes së marrëveshjes finale me Serbinë.
Përmes një postimi në faqen e rrjetit social, Kreu i Shtetit Hashim Thaçi ka përmendur disa pika kyçe të një interviste që ka dhënë për një media të Austrisë, ku ka thënë se marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të nënkuptonte se nuk do të ketë kufi monoetnik dhe të dyja shtetet do të jenë shumetnike .
Sipas Thaçit, kjo do të sillte stabilitet në rajon dhe do ti mundësonte dy vendeve hapjen e rrugës së integrimit europian.
“Për Kosovën dhe Serbinë kjo do të mundësojë anëtarësimin në BE, derisa për Kosovën edhe në NATO. Nuk do të ketë kufij monoetnik dhe të dyja shtetet do të jenë shumetnike.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, nënkupton që nuk do të ketë më kurrë luftë ndërmjet dy shteteve. Qytetarët do të kenë një jetë më të mirë, sepse nga jetësimi i marrëveshjes do të përmirësohet edhe gjendja ekonomike dhe do të krijohen më shumë vende të punës, derisa kufijtë do të largohen, duke u bazuar në modelin evropian.
Shansi për të arritur një marrëveshje të tillë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë, sepse kemi mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së”, shkruan presidenti Thaçi.
Presidenti Hashim Thaçi, nga viti i kaluar ka hapur temën duke hedhur si ide mundësinë e shkëmbimit të territoreve, fillimisht si korigjim kufijsh mes dy shteteve Kosovës dhe Serbisë, ide kjo e kundërshtuar fort nga Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i cili është deklaruar më herët se lëvizja e kufijve bëhet vetëm me luftë.
Ndërkohë, zyrtarët e Bashkimit Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se do të përkrahin çfarëdo marrëveshje ndërmjet dy shteteve me të cilat pajtohen palët.
Statusi i plotë i Hashim Thaçit:
Në një intervistë për Agjencinë e Lajmeve të Austrisë „APA“, kam biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon.
Duke folur për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kam theksuar se një marrëveshje mes nesh do të krijonte më shumë stabilitet dhe paqe në rajon.
Për Kosovën dhe Serbinë kjo do të mundësojë anëtarësimin në BE, derisa për Kosovën edhe në NATO. Nuk do të ketë kufij monoetnik dhe të dyja shtetet do të jenë shumetnike.
Arritja e një marrëveshjeje ligjërisht obliguese, nënkupton që nuk do të ketë më kurrë luftë ndërmjet dy shteteve. Qytetarët do të kenë një jetë më të mirë, sepse nga jetësimi i marrëveshjes do të përmirësohet edhe gjendja ekonomike dhe do të krijohen më shumë vende të punës, derisa kufijtë do të largohen, duke u bazuar në modelin evropian.
Shansi për të arritur një marrëveshje të tillë asnjëherë nuk ka qenë më i mirë, sepse kemi mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së. Risia është që edhe Rusia do të jetë në gjendje të pranojë marrëveshjen, nëse të dyja palët pajtohen.
Prandaj, është me rëndësi që të shfrytëzohet ky momentum për të arritur një marrëveshje të balancuar, e cila merr parasysh interesat e dy vendeve. Në të kaluarën nuk ka pasur një gatishmëri të tillë. Nëse ne nuk e shfrytëzojmë këtë shans, atëherë qytetarët tanë do të na mallkojnë në dekadat e ardhshme.
Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë vetëm me korrigjimin e kufijve, por edhe me aspekte të tjera. Kjo marrëveshje do të jetë gjithëpërfshirëse, e cila trajton edhe çështje të tjera, si çështjen e personave të zhdukur nga lufta e fundit, të cilët edhe më tutje nuk janë kthyer në vendlindje
. Marrëveshja ka për qëllim të zgjidhë përfundimisht problemet dhe të mos jetë një zgjidhje e përkohshme, të cilës pastaj duhet t’i rikthehemi. Nuk do të ketë as “Shqipëri të madhe”, as “Kosovë të madhe”. Në vend të kësaj, ne synojmë integrimin e rajonit në Evropën e bashkuar.
Në këtë intervistë kam folur edhe për ushtrinë e Kosovës. Ky ishte një vendim i duhur i një shteti sovran, i bazuar në vullnetin e popullit të Kosovës, shkruan Thaçi.