Në një ceremoni solemne të zhvilluar në sheshin “Skënderbeu”, me pjesmarrjen e shumë personaliteteve të larta nga rajoni dhe bota, Atifete Jahjaga i ka dorëzuar zyrtarisht detyrën e Presidentit të Kosovës.
Teksa i dorëzoi Kushtetutën Jahjaga kishte një porosi për Thaçin: “Ta mbroni këtë Kushtetutë të shtetit tonë dhe synimin qëllimin e saj që të gjithë qytetarët të jenë të lirë dhe të barabartë para ligjit”. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u betua se do të jetë gardian i kësaj Kushtetute. Në fjalimin e parë si President, Thaçi deklaroi se është President i heronjve që ëndrrën e bënë realitet, pasi heronj janë të gjithë qytetarët e Kosovës. “Kam emocione dhe nder që në këtë shesh te iu drejtohem si president i Republikës se Kosovës. Iu ftoj si qytetar te lutemi dhe t’i falënderojmë të gjithë ata që dhanë jetën që ne sot të jemi të lirë. Sot jemi të bashkuat si vend dhe si popull . Me kontributin dhe sakrificën tuaj sot i tregojmë botës që kemi arritur pjekuri si shtet demokratik. Sot po fillojmë një traditë të re. Kjo ceremoni është një kapitull i ri në librin tonë të përbashkët të sukseseve dhe janë monumentet e shtetësisë që po i qëndisim bashkë. Shteti ynë nuk do të ndalet, nuk do të pauzojmë” Ai premtoi se Kosova do të jetë partnerë i fortë kundër terrorizmit dhe nuk do të ketë kompromis ndaj atyre që kërcënojnë jetërat e qytetarëve. Presidenti Thaçi tha se e bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë duhet të vazhdojnë. “Ne një popull që u ringritëm si feniksi do të jemi në gjendje të krijojmë mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Kam qenë dëshmitarë që shokët u vranë para syve, sot kujtojmë komandantin Adem Jashari dhe presidentin Ibrahim Rugova, por gjithmonë kam qenë i bindur se liria një ditë do të vjen. Sot ndër betejat tona do të jenë fryma e respektit ndaj tjetrit dhe si president i heronjve unë besoj në shtetin e Kosovës”, ka përfunduar fjalimin e tij presidenti Thaçi.