Nuk është pamja e tyre e pazakontë, por ajo që po kërkojnë prej saj. Ndërsa po merrja avionin që kishte ardhur nga Shqipëria në aeroportin Gatwick javën e kaluar, një grup efektivësh të Forcave Kufitare me qentë e tyre huhatës po vëzhgonin me kujdes pasagjerët. Ndërsa rradha në terminal po rritej, efektivët nuk pranuan të më thoshin se çfarë po kërkonin, – por këta qen janë trajnuar për të nuhatur paratë. PARATË E DROGËS. Pasi valixhe të mbushura me miliona pound që vijnë nga përdoruesit e kokainës në Britani po dërgohen në vendin ballkanik nga ajri, toka dhe deti.
Kjo është faza finale e një shtegu mjerimi, që nis nga arat e bimës së koka-s në Amazonë deri tek rrugët e Britanisë, të orkestruar nga e ashtuquajtura “Lidhja Shqiptare”. Në Shqipëri, paraja cash e kokainës përfundon me blerjen e pronave dhe makinave fringo të reja, duke ushqyer korrupsionin dhe duke dëmtuar sundimin e ligjit. Në Britani, kokaina e lirë dhe me pastërti të lartë ka ushqyer epideminë e krimeve me thika dhe fenomenin e shpërndarjes së drogës nëpër gjithë zonat. Nuk është çudi që Shqipëria – një vend i vogël me rreth tre milionë banorë, i etur për t’u bashkuar me BE-në – është tani në frontin e luftës së Mbretërisë së Bashkuar kundër krimit të organizuar.
Bandat
Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani (NCA) thotë se epërsia e grupeve kriminale shqiptare po rritet dhe ato po zgjerojnë ndikimin e tyre. Dukepirë njerën cigare pas tjetrës, në një kafene të Tiranës, një prokuror vendas më tregoi se si bashkatdhetarët e tij e kapën tregun britanik të kokainës me vlerë 5 miliardë pound. “Ata shkuan drejt në burim, në Amerikën e Jugut. Ata u bënë shitës me shumicë dhe i kapërcyen ndërmjetësit”. Mafiozët shqiptarë u bashkuan pastaj me ‘Ndrangheta-n, bandën më të fuqishme mafioze italiane, që kanë njerëz brenda në disa nga portet me trafikun më të lartë detar të Evropës. Kokaina e pastërtisë së lartë që mbërrin në Belgjikë dhe Holandë në kontejnerët e transportit nga Amerika e Jugut, vazhdon udhëtimin e saj në Britani. Me të ardhur këtu, kokaina shpërndahet nga banditët e vegjël, si dhe nga grupe të tilla si ‘Hellbanianz’. Me bazë në Barking, Londra lindore, mafiozët shqiptarë dalin nëpër foto me armë, para dhe makina fringo të reja nëpër mediat sociale.
“Gati për luftë”
Në një video rap të nxjerrë nga grupi në tetor, ata këmbëngulnin se ishin “gati për luftë”. Në vitin 2016, tre prej tyre rrugës u burgosën për një total prej 42 vjetësh pasi një operacion policor zbuloi 6 milionë pound drogë dhe një armë automatike ‘Skorpion’ me silenciator. Një nga ata të burgosur, udhëheqës i ‘Hellbanianz’ Tristen Asllani, që do të qendrojë pas hekurave 25 vjet, poston fotografi nga qelia e burgut, duke thënë se “kurvat” janë e vetmja gjë që i mungojnë. Modeli shqiptar i biznesit bëri që çmimi i një kilogrami kokainë të paprerë në Britani të bjerë nga më shumë se 45.000 pound pesë vjet më pare, në rreth 30.000 pound tani. Koka në burim vlen rreth 3.800 pound për kg në xhunglat e Kolumbisë. Gazetari shqiptar i kronikës Artan Hoxha i tha ‘The Sun’: “Grupet e krimit bazohen në lidhje familjare dhe miq të besuar nga i njëjti qytet në Shqipëri. Gjithkush njeh familjet e njëri-tjetrit, gratë, fëmijët, e kjo shërben si garanci. Në rast se tradhëtojnë grupin, vjen hakmarrja”.
Gjakmarrja – vrasjet mes njeri-tjetrit – tek klanet rivale mund të zgjasin dekada dhe ato e kanë nisjen këtu. Artani, 45 vjeç, shton: “Sistemi nënkupton që kur policia arreston ushtarët e thjeshtë, ata do të lodhen shumë për të gjetur lojtarët e mëdhenj. Askush nuk flet”. E, megjithatë, policia britanike ka pasur suksese të madh. Kur policët bastisën “depot” e Erald Memës, padrinos shqiptar në Britani, ata zbuluan 560.000 pound para të thata, 10 kg kokainë, dy pistoleta 9 mm dhe një revolver të mbushur Smith & Wesson. Banditi 33-vjeçar bënte ecejake midis Britanisë dhe atdheut të tij ndërsa drejtonte një rrjet kokaine në mbarë Britaninë.
Lufta e familjeve të krimit
Duke i dhënë në tetor dënimin me burg 25 vjet për Erald Memën në Gjykatën e Oksfordit, për furnizim me drogë të cilësisë së parë, gjykatësi Peter Ross i tha atij: “Ju jeni një rast i rrallë. Jeni njeriu më i rëndësishëm i këtij operacioni të krimit të organizuar. Organizatat kriminale si organizata tuaj janë shumë të dhunshme dhe përdorin armë zjarri e thika”. Një tjetër baroni shqiptar të kokainës, Klodjan Çopja, i pëlqente të ngiste një Ferrari të kuq si gjaku nëpër rrugët e qytetit të Elbasanit, kur ai u kthye nga Britania. Për tre vjet policët përpunuan korrierët dhe ushtarët e thjeshtë të Çopjes, të cilët i kishin përmbytur Londrën, Birminghamin, Leicesterin dhe Nottinghamin me kokainë me vlerë 150 milionë pound. Çopja, 31 vjeç, nuk u kap, duke i investuar fitimet e tij në një lokal të zhurmshëm në qytetin e tij të origjinës në Shqipërinë qendrore. Më në fund, ai u kap duke përdorur një pasaportë të rreme në kufirin greko-shqiptar dhe tani po vuan 17 vjet në një burg në Mbretërinë e Bashkuar.
Elbasani është pushtuar nga familjet luftarake të krimit, tentakulat e të cilave shtrihen në Britani të Madhe. Vëllai i Çopjes u arrestua se vrau një rival. Gangsterët e veshur si policë kositën me armë zjarri një lokal të armikut të tyre, duke vrarë tre dhe duke plagosur shtatë vetë. Shumë shqiptarë mbërrijnë në Britani duke përdorur letra të rreme ose paguajnë rreth 12.000 pound për gjarpëruar përmes Kanalit në La Manshit fshehur nëpër kamionë. Në rajonin e bukur të Hasit në veri të Shqipërisë, gati 10.000 nga 25.000 banorët kanë ikur drejt Mbretërisë së Bashkuar. Në qytetin e largët të Krumës, ndërtuesi Agron Morina i tha ‘The Sun’: “Njerëzit largohen drejt Britanisë përditë. Ky tani është një qytet fantazmë”. Ndërsa qëndronim duke folur në sheshin kryesor të qytetit, shtatë makina fringo të reja me targa britanike, duke përfshirë një Mercedes të prodhimit të fundit, një BMW dhe një Audi A7 kaluan para nesh. Babai i tre fëmijëve, Agroni 46 vjeçar, bëri tre vjet punë si suvatues në Stratford, Londra lindore, pasi erdhi aty në pjesën e prapme të një kamioni.
Armë automatike
Ai thotë: “Këtu nuk ka punë. Mund të fitoj 60 euro në muaj. Në Britaninë e Madhe fitova më se 500 euro në javë si një suvatues”. Jo të gjithë arrijnë të kapin një punë të rregullt, si Agroni. Tarifat 12.000 pound për një vend në kamion nënkupton që të tjerë përfundojnë duke punuar për bandat për t’i shlyer ato. Të tjerë, të tillë si Fari Lleshi, merren më drogë. Me nofkën ‘2gunz’, Lleshi mbërriti në Britani pas gjashtë vjet burg për vjedhje të 20.000 poundëve në një bankë në Itali. “Si të gjithë shqiptarët, kam ardhur me kamion. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të udhëtuar për në Angli”. Me origjinë nga Kukësi, 20 kilometra nga Kruma, ai punoi si suvatues në Britani dhe u përpoq të fillonte një karrierë si repist. Në një këngë të tij mburret se ka kokainën në gjak.
Lleshi, 29 vjeç, me shumë tatuazhe, u dënua me tre vjet edhe në Britani të Madhe për zotërim të narkotikëve të cilësisë së lartë me qëllim furnizimi. Ai u deportua në Shqipëri këtë vit. Duke sharë autoritetet, në mars ai nxorri një video rap në YouTube, duke dalë me dy armë në duar, ndërsa të tjerët qëndronin prapa me automatikë ‘AK-47’. Por deklaron se të gjitha armët ishin false. Në kryeqytet, Tiranë, një nga politikanët kryesorë të opozitës dhe ish-ministër i Drejtësisë, Gazment Bardhi, 32 vjeç, ka një panoramë nga lart të qytetit në zyrën e tij mbi grupime vinçash rreth kullave në rritje. “Janë ndërtuar me pasuri kriminale. Paratë e pista po destabilizojnë Shqipërinë”.
Krerët e krimit mund ta blejnë daljen nga burgu dhe politika është infektuar nga paratë e drogës. Por Shqipëria po përpiqet të luftojë. Plantacione të shumta të kanabisit këtu janë çrrënjosur. Një zyrë e Prokurorisë Speciale, SPAK, po krijohet për të hetuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.Forcat britanike të rendit kanë krijuar partneritet me homologët e tyre shqiptarë për të luftuar bandat. Por gazetarit Artan Hoxha kjo nuk i ban shumë përshtypje. “Mbretëria e Bashkuar po punon me policinë shqiptare, por policët këtu kanë mungesë të burimeve dhe duhet të bëjnë më shumë. Nuk është gjë të arrestosh një ushtar të thjeshtë, në rast se nuk pret rrënjët në Shqipëri. Por edhe sikur t’ia presësh kokën e gjarprit, shumë të tjera do të rriten”.
*Titulli original: Epidemia e kokainës në Britani ushqehet nga mafiozët shqiptarë që gjarpërojnë këtu për të drejtuar tregtinë e drogës