Kriza e mungesës së punëtorëve po ndihet në të gjithë sektorët e ekonomisë, duke u kthyer në një nga problematikat më të mprehta të bizneseve shqiptare.
Pas sektorit të transportit në vështirësi për drejtues kamionësh, mungesën e fuqisë punëtore po e vuan edhe sektori i mobilieve.
Prej muajit shtator të vitit të kaluar ka mungesë të lartë të fuqisë punëtore, që po ndihet shumë edhe në këtë sektor. Kompanitë po shohin si zgjidhje, marrjen e punonjësve të huaj nga Egjipti me kualifikime të ngjashme në vendin e tyre.
Dritan Cacaj, drejtues i mobilierisë “Trin Mobilieri”, tha për “Monitor” se tashmë ka aplikuar nëpërmjet agjencive të huaja të punësimit për marrjen e 10 punonjësve nga Egjipti.
“Prej kohësh në vend po ndihet mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, të profesionistëve. Shumë prej punonjësve të kualifikuar janë larguar në emigracion, kryesisht të grupmoshave 25 deri në 35 vjeç apo kanë ngritur punishtet e tyre, por edhe ata vuajnë mungesën e punonjësve. Kjo është arsyeja që jemi detyruar të kërkojmë punonjës nga jashtë, duke e parë si zgjidhje të vetme”.
Për shkak të largimit të fuqisë punëtore të kualifikuar në emigracion, kompanitë prodhuese të mobilieve kanë rritur pagat e punonjësve. Pagesa minimale mujore të punonjësve të kualifikuar në sektorin e përpunimit të mobilieve variojnë nga 70,000 lekë niveli minimal deri në 120,000 lekë rroga maksimale.
Sipas përllogaritjeve të bizneseve kostoja e punësimit të punëtorëve egjiptianë llogaritet deri në 1,000 USD, 50% e vlerës, duke përfshirë pagesat për siguracionet shtesë së jetës, fjetja dhe ushqimi, ndërsa pjesa e mbetur është rroga mujore.
Z. Cacaj shton se mungesa e fuqisë punëtore do të rrisë kostot për prodhuesit vendas të mobilieve më shumë se shtrenjtimi i lëndëve të para. Në anën tjetër ekziston edhe pasiguria e qëndrimit të tyre, pasi në shumë raste në të kaluarën punonjësit e vendeve aziatike e kanë përdorur Shqipërinë si trampolin për Europën.
“Marrja e punonjësve të huaj konsiderohet skemë eksperimentale për sektorin tonë. Sigurisht që ekziston frika e largimit të tyre në vendet e Europës, duke e përdorur Shqipërinë si fazë kualifikimi.
Nga ana tjetër nuk dihet rendimenti i tyre në punë. Në këtë situatë është e domosdoshme që nga shteti të monitorohen agjencitë për rekrutimin e punonjësve, të rregullohet funksionimi i tyre, pasi kostot e largimit të tyre janë të larta për kompanitë”, pohon ai.
Shtimi i kostove nga mungesa e fuqisë punëtorë pritet të sjellë rritje të çmimeve deri në 15% më shumë se vitin e kaluar për disa nga punishtet e drurit në vend. Operatorë të tjerë pohojnë se do t’i mbajnë të pandryshuara çmimet për shkak të rënies së kërkesës./Monitor/