Petrit Lekaj, shqiptari i dyshuar për vrasjen e vajzës së tij 20-vjeçare në Adelajde në Australi ka dalë sot përpara gjyqit. Ai iu ka thënë avokatëve të tij se ndihej fajtor për atë që kishte ndodhur.
Petrit Lekaj, 49 vjeç, u shfaq në Gjykatën e Magjistraturës në Port Adelaide përmes një video-mesazhi, për shkak se ai ndodhet në një institucion të shëndetit mendor. Vajza e tij, 20-vjeçarja Sabrina Lekaj, u gjet e vdekur në një makinë rreth 250 metra larg shtëpisë së familjes së saj në Parkun Kidman, në perëndimin e Adelaide, së bashku me babanë e saj të dëmtuar, shkruajnë mediat botërore.
Lekaj ka pranuar fajësinë, duke thënë se ka vrarë vajzën e tij. Ai më parë u paraqit në gjykatë përmes një videoje nga spitali më 26 korrik, i akuzuar për vrasjen e së bijës. Edhe ai vetë ishte për kurim në spital, pasi gjatë “përleshjes” me thikë me vajzën, kishte pësuar edhe vetë lëndime.
Funerali i Sabrina Lekajt u mbajt në fillim të këtij muaji në Parkun Flinders. Nëna e Sabrinës dhe gruaja e Petritit tha se bashkëshorti i saj nuk ishte njeri i keq, por se thjesht “kishte qenë momenti i keq”. Ajo shtoi se burri i saj kurrë nuk kishte treguar dhunë në familje. Sabrina Lekaj shkonte shumë mirë në mësime, kurse ishte edhe një pianiste shumë e mirë.