Fshati turistik i Thethit në zemër të alpeve shqiptare nuk është më një zonë e panjohur. Çdo ditë më qindra turistë të huaj e vizitor vendas zgjedhin këtë destinacion për të kaluar pushimet e tyre. Turistët thonë se natyra unike e alpeve, njerëzit miqësor dhe ushqimi i mirë janë arsyet përse zgjedhin Thethin.

“Mendoj se njerëzit në Shqipëri janë shumë miqësor. Si vend është shumë unik dhe me një natyrë shumë të bukur dhe më pëlqen shumë që jam këtu. Më pëlqejnë shumë pamjet ngado sidomos gjelbërimi që shoh nga majat e maleve dhe e gjithë natyra që shihet nga lart”.
“Unë jam nga Portugalia. Më pëlqen shumë natyra dhe kemi vendosur të bëjmë një shëtitje dhe mendoj se Shqipëria është vendi perfekt. Është hera e parë këtu dhe është shumë bukur si vend. Shumë gjelbërim, ujë ngado, shumë këndshëm dhe njerëzit këtu në Shqipëri janë të mrekullueshëm. Do qëndrojmë 6 netë dhe 7 ditë këtu”.
“Kemi parë borën dhe kemi bërë shtegun Valbonë-Theth, një udhëtim i jashtëzakonshëm. Është hera e parë që jam në Shqipëri dhe nuk kisha dëgjuar shumë. Kur erdha më pëlqeu jashtëzakonisht. Një ushqim shumë i mirë dhe besoj se do t’i miqve në Portugali që të vijnë me çdo kusht këtu sepse është vend ideal me një natyrë të bukur, njerëz miqësor dhe ushqim të mirë”.
Fatmir Breishta, pronar i bujtinës “Alpet” në Theth thotë se këtë vit numri i turistëve është rritur ndjeshëm.

Edhe pse numri i bujtinave në Theth është shtuar ndjeshëm sërish nuk përballon të gjitha kërkesat e turistëve në rastet kur shkojnë pa rezervim duke bërë që shumë prej tyre të kthehen mbrapsht. Thethi mbetet një prej fshatrave turistik më të frektuentuar nga turistët e huaj dhe vizitorët shqiptar për shkak të bukurive natyrore mes malesh dhe mundësive që ofron për gjithë ata që preferojnë të eksplorojnë natyrën.

Artikulli paraprakRRUGËTIM ME KOMPOZITORIN GJON KAPIDANI
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 29 MAJ 2023