Në pritjen shtetërore të organizuar sot me rastin e 110 – vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës Bajram Begaj priti autoritete të larta të shtetit, përfaqësues të trupit diplomatik, përfaqësues të forcave politike, komuniteteve fetare, kulturës, artit dhe medias për të kremtuar së bashku festat kombëtare në këtë vit jubilar të mëvetësimit të Shqipërisë. Në fjalimin e tij nuk kanë munguar mesazhet për politikën.

“Shqipëria, pas një vlerësimi historik, do të mirëpresë liderët Evropianë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky është një mesazh inkurajimi për të ardhmen evropiane të shqiptarëve në Shqipëri dhe në të gjitha vendet e rajonit. Edhe pse të ndarë në disa shtete, faktori shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Luginën e Preshevës e diasporë ka qenë, është, dhe do të jetë i bashkuar, në mbështetje të destinacionit tonë të përbashkët në familjen Euro-Atlantike. Vizioni mbarë-popullor për të qenë pjesë e familjes evropiane duhet të jetë premisa dhe shtysa për bashkëpunim konstruktiv, politik e parlamentar, për vijimin e reformave dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve. Qytetarëve ju duhet dhënë siguri që reforma në drejtësi ka ngritur institucione të besueshme dhe të përgjegjshme, që garantojnë të drejtën e tyre për drejtësi dhe barazi para ligjit. Brezat e rinj kanë nevojë të shohin perspektivë të qartë zhvillimi, demokraci funksionale, hapësirë për idetë e tyre dhe optimizëm për të ndërtuar të ardhmen e tyre këtu.

Diaspora duhet të gëzojë të drejtën e votës dhe të mbështetet me programe që nxisin kontributin, ekspertizën dhe investimet e tyre. Zgjedhjet e ardhshme vendore janë një mundësi për të demonstruar bashkëpunim e përgjegjshmëri politike e institucionale, për zgjedhje të lira e demokratike. Si President i Republikës, në interes të kombit dhe të ardhmes tonë, ftoj të gjithë aktorët politikë e institucionalë, shoqëri civile e media, çdo shqiptar, që t’i përkushtohemi vizionit për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, vendin e projektuar për të qenë anëtare në Bashkimin Evropian”, tha Begaj.

Artikulli paraprakKURBIN / QËLLOI ME ARMË ZJARRI, GJATË NJË KONFLIKTI, POLICIA SHPALL NË KËRKIM NJË SHTETAS
Artikulli tjetërKULLA MË E LARTË NË DUBAI, BURJ KHALIFA “VISHET” KUQ E ZI PËR TË URUAR PAVARËSINË E SHQIPËRISË