Thirrjet për dhunë, prokuroria nis hetimin ndaj Lulzim Bashës

 

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të kreut të PD, Lulzim Basha pas padisë së Policisë së Shtetit ditën e shtunë. Pas regjistrimit të kallëzimit, do nis hetimi për kreun e opozitës shqiptare për thirrje publike për veprime të dhunshme. Kryetari i PD ndodhet në kushtet e veprës penale, pasi neni 223 i Kodit Penal sqaron se thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim në tre vite. “Në datë 24 shkurt 2017, rreth orës 12:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në çadrën e ngritur, z.Basha, në fjalën e transmetuar drejtpërdrejt në media, ka bërë thirrje nxitëse ndaj qytetarëve të reagojnë dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore” thuhet në padinë e policisë. “Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat…… ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh…”, citohet Basha. Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, i cili parashikon “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje për luftë nga çadra e protestuesve të PD-së përpara Kryeministrisë ditën e premte. Pas regjistrimit të procedimit prokuroria do të nisë hetimet ndaj kreut të PD, Lulzim Basha. –

Artikulli paraprakUSHTARË KUNDËR ISIS, SHQIPËRIA DO DËRGOJË NJË TOGË OPERACIONALE NË IRAK
Artikulli tjetërRAPORTI I SHERBIMEVE SEKRETE ITALIANE: BALLKANI GJATË 2016 VATËR E REKRUTIMIT TË LUFTËTARËVE TË HUAJ