Transparency International publikon raportin Vlerësimi i Sistemit Kombëtar të Integritetit -Shqipëria 2016.

Një raport ku vërehet me shqetësim sesi institucionet e kyçe në luftën kundër korrupsionit si zyra e Prokurorisë, Gjykata e Lartë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit janë të pafuqishme ta bëjnë për shkak të trysnisë dhe ndërhyrjes nga partitë politike. Këta të fundit raporti i konsideron si institucionet që rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit. “Shqipëria nuk i plotëson kërkesat e Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit dhe nëse nuk ndërmerr reforma kyçe, kjo mund mund të pengojë integrimin në BE,” tha Cornelia Abel, koordinatore e Transparency International për Europën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor. “Është shqetësuese që institucionet e ngritura për të garantuar se vendimarrësit do të veprojnë në interes të qytetarëve shqiptarë, nuk kanë fuqi, pavarësi dhe burime për ta realizuar këtë”. KQZ mbetet me burime të kufizuara-me vetëm dy punonjës përgjegjës për mbikëqyrjen e financimeve elektorale të të gjitha partive politike dhe pjesa më e madhe e punës u mbetet auditorëve të jashtëm. Auditorët e jashtëm nuk kanë shtysat e mjaftueshme për ta kryer këtë detyrë, duke i lënë partitë politike dhe vendimarrësit e vendit jashtë mbikëqyrjes së përshtatshme. Partitë politike rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit Partitë politike rezultojnë të kenë nivelin më të ulët të integritetit, krahasuar me të gjithë aktorët dhe institucionet e vlerësuara-ato nuk janë të detyruara të raportojnë fondet dhe shpenzimet gjatë fushatave elektorale, ç’ka nënkupton se votuesit nuk e dinë se kush po mbështet secilin prej kandidatëve, përpara se të bëjnë zgjedhjen e tyre. Përveç plotësimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi, Transparency International jep rekomandimet kryesore të mëposhtme për çrrënjosjen e korrupsionit në Shqipëri dhe për të garantuar funksionimin pa ndërhyrje politike të institucioneve mbikëqyrëse. Komisioni Parlamentar ad-hoc për reformën elektorale duhet të marrë funksion të plotë. Pavarësia e administratës zgjedhore duhet të jetë fokusi kryesor i tij. Parlamenti duhet urgjentisht të ngrejë një komision ad-hoc të asistuar nga një sekretariat teknik për të kryer reformën e konfliktit të interesit dhe rregulloret mbi lobimin. Ky komision duhet të ketë mandat për të propozuar ndryshime që lehtësojnë kuadrin ligjor, forcojnë pavarësinë e institucioneve kyçe dhe e bëjnë të mundshëm zbatimin në praktikë. Partitë politike duhet të zbatojnë standarde më të larta kur zgjedhin kandidatët elektoralë dhe funksionarët publikë, në mënyrë që të garantojnë profesionalizmin dhe nivele më të larta të integritetit në sektorët publikë.

Artikulli paraprakGJYLI: DISA SHKOLLA KËRKOJNË PËRMIRËSIM KUSHTESH
Artikulli tjetërKROQI E VENDOS, TRAJNERI I MESHKUJVE TË VOLEJBOLLIT