NË SHTATOR TË KËTIJ VITI, UDHËHEQËS TË TË GJITHA BESIMEVE FETARE BOTËRORE DO TË MBLIDHEN NË TIRANË. Ndërsa vizita e Papa Françekut 21 shtatorin e vitit të kaluar e ktheu Shqipërinë e vogël në kryeqendrën e vëmendjes botërore për dialogun dhe bashkëjetesën fetare që mbizotëron në vendin tonë, një tjetër aktivitet i rëndësishëm pritet ta shndërrojë Tiranën në kryeqytetin e paqes në Evropë dhe në mbarë botën.

Në shtator të këtij viti, udhëheqës të të gjitha besimeve fetare botërore do të mblidhen në Tiranë në “takimin e 28 Ndërkombëtar për Paqen” në përkujtim të 20-vjetorit të përfundimit të Luftës së Fundit në Ballkan. Për tre ditë me radhë më datat 6-7-8 shtator, vendi ynë do të promovojë edhe një herë diologun dhe bashkëjetesën fetare. Mijëra njerëz nga e gjithë bota pritet të jenë pjesë e këtij “mitingu” botëror për paqen. Ky takim u organizua nga Komuniteti i Sant’Egidio i Romes, nje strukturë shumë afër me Vatikanin. Takimi për paqen ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë, jo vetëm fetare por edhe politike, teksa e promovon Shqipërinë si faktor stabiliteti në Rajon. Duhet theksuar se është dekada e parë që vendet e Ballkanit nuk kanë provuar shijen e luftës përballë njëra-tjetrës.  Takimi për Paqen vjen gjithashtu në një kohë kur rreziku i ekstremizmit dhe radikalizmit fetar, është kthyer në një çështje shqetësuese në botë. Ky takim do të prezantohet për publikun ditën e martë nga Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, Presidenti i Komunitetit “Sant’Egidio” Marco Impagliazzo, Peshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Andon Merdani si dhe Ipeshkvi i Kishës Katolike të Shqipërisë, Luçjan Avgustini.  Të hënën përfaqësuesi i Komunitetit të Sant’Egidio do të takojë në Tiranë presidentin e repubublikës Bujar Nishani dhe Kryeministrin Edi Rama. Takimi për Paqen zanafillën e tij e ka që më 1986 me iniciativë të Papa Gjon Palit II me qëllim promovimin e mirëkuptimit dhe dialogut të ndërsjelltë mes feve, duke pasur në horizont lutjen për paqe. Eshtë hera e parë që takimi organizohet në Shqipëri.

Artikulli paraprakZGJEDHJET VENDORE, RAMA – META TAKOHEN KËTË JAVË
Artikulli tjetërSUEDIA MBËSHTET KOSOVËN NË LIBERALIZIMIN E VIZAVE