Vllaznia në ndeshjen më të rëndësishme të kësaj jave, atë ndaj Tiranës ia ka arritur që të marrë një barazim duke u rikthyer kështu tek rezultatet pozitive pas krize momentale me humbjen e fundit ndaj Bylisit në Shkodër. Edhe pse Tirana shihej si favorite në fakt është Vllaznia ajo e cila me pak më shumë kujdes mund të ishte larguar me fitore nga kjo përballje e klasikes të futbollit shqiptar që për fatin e keq u luajt pa praninë e tifozëve.

Shkodranët patën disa mundësi shënimi gjatë lojës por nuk arritën të konkretizojnë ndërsa rikthimi i brazilianit Hygor në fushë ndërroi plotësisht lojën e Vllaznisë duke i dhënë një temp tjetër ndërsa braziliani pas kësaj ndeshje do të largohet për shkak se do të qëndrojë për dy javë afër nënës së tij të sëmurë në Brazil.

Trajneri i Vllaznisë Mirsad Jonuz e ndoqi nga tribuna ndeshjen për shkak se u dënua nga federata me dy ndeshje por kjo nuk e pengoi atë që ta drejtojë ndeshjen edhe nga larg duke dhënë udhëzimet e duhura. Ndërsa kuqeblutë humbën disa raste të mira shënimi, mbrojtësi Malota kthehet në heroin e ndeshjes në fund të lojës kur në minutën e 94 largon nga vija fatale e portës shkodrane një top që mund të ishte kthyer në gol duke shpëtuar

ekipin nga humbja në këtë javë por edhe duke siguruar një barazim mjaft të vlefshëm ndaj një ekipi me pretendime siç është Tirana. Ky barazim i Vllaznisë në kryeqytet bën që tashmë ekipi të dalë nga ajo krizë momentale rezultati, gjë të cilën trajneri i kuqebluve Jonuz e kërkoi para kësaj sfide në konferencën për shtyp.

Vllaznia pas pushimit që do të jetë do të kërkojë që të përgatitet për sfidat e ardhshme duke kërkuar të tjera rezultate pozitive për të qenë sa më larg vendit të 8-të që të çon në Play Out por edhe të pretendojë për më shumë.

Artikulli paraprakSHKODËR, BSPSH: ADEMI IA DHA TENDERIN E PASTRIMIT PS
Artikulli tjetërSHKODËR, PREMIERË “FESTA MBARËKOMBËTARE E HUMORIT”