Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës për kampionat ndaj Tiranës. Në këtë duel, pritës do të jenë bardheblutë, por ndeshja do të luhet jashtë kryeqytetit. Kështu, Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia do të luhet të mërkurën e 30-tetorit në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 17:00. Të dy klubet kanë gjetur dakordësinë që ndeshja të luhet aty dhe tashmë pritet vetëm një konfirmim i fundit edhe nga ana e FSHF. Padiskutim që, ky është një lajm i mirë edhe për tifozërinë e Vllaznisë, pasi Klasikja do të luhet më afër se ndeshjet e tjera të Tiranës që u zhvilluan në Vlorë dhe në Korçë, teksa mbështetja e tifozërisë kuqeblu pritet të jetë e madhe në këtë duel, duke qenë se bëhet fjalë për Klasiken e futbollit shqiptar.
Sigurisht që, idealja do të ishte që kjo përballje të luhej në kryeqytet, pasi është një nga sfidat më me rivalitet në historinë e futbollit shqiptar, ku ndeshen mes tyre dy klubet më me histori. Gjithsesi, pavarësisht gjithçkaje, edhe stadiumi “Elbasan Arena” mbetet një opsion i pëlqyeshëm nga të dy palët. Ndërkohë, po në këtë stadium, do të luhet të enjten e 31-tetorit edhe ndeshja tjetër Dinamo-Bylis në orën 17:00.
Këtë sezon, klubi blu ka paraqitur në Federatën Shqiptare të Futbollit një kontratë me stadiumin e Elbasanit, për t’i luajtur të gjitha ndeshjet aty, ndryshe nga Tirana që është e detyruar të “shtegtojë” çdo duel nga njëri stadium në tjetrin.