ISH FUTBOLLISTI I KUQEBLUVE, DRITAN SMAJLI MUND TË RIKTHEHET SËRISH NË SHKODËR. Pas datës 31 maj, 5 futbollistë të Vllaznisë janë të lirë në bazë të kontratave duke mos patur asnjë detyrim për ekipin shkodranë. Bëhet fjalë për mbrojtësin dhe kapitenin e skuadrës Elvin Beqiri, për mesfushorët Alsid Tafili , Ndriçim Shtubina e Arsen Hajdari dhe për sulmuesin Sindrit Guri. Këta 5 futbollistë nuk kanë kontratë më me Vllazninë, ndërkohë që edhe mesfushori Gilman Lika ka një opsion për t’u larguar, por vetëm jashtë Shqipërisë.

Në këto kushte drejtuesit e klubit po shohin mundësinë për të mbajtur kontigjentin aktual dhe për këtë kanë zhvilluar bisedimet paraprake me Shtubinën dhe Tafilin dhe pothuajse kanë rënë dakord për të firmosur kontratat e reja. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për mbrojtësin Beqiri, i cili natyrisht është në dilemë nëse do të vazhdojë ende karrierën apo jo nisur edhe nga mosha e tij. Nga ana tjetër, nuk ka asnjë lajm nëse do ketë rinovime me Hajdarin dhe Gurin, dy futbollistë që nuk kanë dhënë atë çfarë pritej në sezonin e fundit dhe nuk përjashtohet mundësia që me ta të mos ketë bisedime. Megjithatë, brenda pak ditësh këta dilema do të marrin fund dhe menjëherë pas saj do mësohet se kush do jetë kontigjenti i skuadrës për kampionatin e ardhshëm, ndërkohë që ekziston mundësia për rikthimin edhe të ndonjë shkodrani tjetër që luan në Superiore. Ndërkohë pas ish-futbollisti i Vllaznisë Dritan Smajli që ka qenë pjesë e këtij sezoni me Kukësin mund të rikthehet në Shkodër. Fakti që mbrojtësi lezhjan u largua nga Kukësi pak kohë më parë si pasojë e polemikave me stafin serb të tij, do të thotë se tashmë që ky staf i rikonfirmuar në krye të kësaj skuadre, nuk do ketë më vend për të. 30-vjeçari natyrshëm që do ta priste me kënaqësi një ofertë nga Vllaznia, skuadër me të cilën ka kaluar periudhën më të suksesshme në karrierën e tij dhe ku ka lënë një përshtypje dhe imazh shumë të mirë te tifozët e saj. Megjithatë, për momentin këto janë vetëm parashikime, sepse as nga lojtari dhe as nga stafi teknik i Vllaznisë nuk kemi një prononcim në lidhje me këtë çështje. Fjalën e fundit kuptohet që do ta thotë trajneri Zmijani. Ai ka aktualisht në skuadër në rolin e mbrojtësit të djathtë, ku luan Smajli, pikërisht Olsi Gocajn, një lojtar me një rendiment shumë të kënaqshëm dhe stabël në formacion gjatë gjithë këtyre viteve të fundit. Por ardhja e mundshme e Smajlit mund të bënte kalimin e Gocajt në rolin e mesfushorit të krahut, aty ku i pëlqen ndoshta më shumë.  

Artikulli paraprak“CHAMPIONS LEAGUE” FINALJA E MADHE PREMTON SPEKTAKËL
Artikulli tjetërKETI BAZHDARI MBËSHTET ARTISTËT E RINJ