Banorët e Sukthit kanë dalë sot në protestë ku i kanë kërkuar bashkisë së Durrësit të gjejë një zgjidhje urgjente për çështjen e plehrave. Pranë Sukthit ndodhet një fushë ku depozitohen të gjitha plehrat e bashkisë dhe më pas digjen.
Banorët thonë se bloza e plehrave po iu rrezikon jetën dhe se era e rëndë futet në çdo ambient të shtëpisë së tyre.
“Sot protestojmë për mbeturinat për tymin që i bëri kancerin popullit të Sukthit që 50 ditë ky popull po rri në vuajtje, në ambient të ndotur.
Fëmijët po shkojnë në spital dhe as spital s’ka çfarë t’u bëjë me këtë blozë që vjen nga mbeturinat. Kemi protestuar shumë herë por nuk na i vë veshin kush. I gjithë tymi hyn brenda”, tha një prej banorëve.
Ata kanë paralajmëruar se nuk do t’i çojnë fëmijët më në shkollë dhe se do të vijojnë protestat.
“Nëse nuk merren masa deri ditën e hënë, shkolla 9-vjeçare e qendrës do bojkotohet. E kemi marrë këtë vendim si banorë.
Fëmijët tanë nuk do shkojnë në shkollë. Deri të hënën të merret një zgjidhje nga bashkia ose këshilli bashkiak”, u shpreh një tjetër banor.