Pas dënimit nga Gjykata e Apelit në Shkodër për tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, policia e Lezhës është vënë në lëvizje për prangosjen e personave të dënuar, mes të cilëve dhe ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj.

Urdhri i ekzekutimit të vendimeve mbërriti në policinë e Lezhës mesditën e të premtes dhe menjëherë policia është vënë në lëvizje për ekzekutimin e vendimeve.

I vetmi person që ndodhet tashmë në qeli është ish-kryabshkiaku i Lezhës Fran Frrokaj i cili u vetëdorëzua në polici mbrëmjen e së premtes, ndërsa për personat e tjerë ende nuk ka asnjë gjurmë.

Prej dy ditësh policia vijon kontrollet për prangosjen e tyre por pa ja arritur qëllimit. Në këto kushte ata pritet të shpallen në kërkim ndërkombëtar, pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë larguar jashtë territorit shqiptar.

Kujtojmë se ish-kryebashkiaku i Lezhës është dënuar më 28 tetor nga Gjykata e Apelit të Shkodrës me vendim të formës së prerë me 3 vite burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim të pronave tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin, ndërsa gjykata gjeti fajtorë edhe 15 zyrtarë e qytetarë të përfshirë në tjetërsimin e 234 mijë metrave tokë në bregdetin e Ranës së Hedhur në Shëngjin.

Artikulli paraprakBARAZIMI LË PA FJALË JOSËN, TRAJNERI I SHKODRANËVE: NUK KEMI ÇFARË TË THEMI, TË TREGOJMË STABILITET NË NDESHJET E TJERA
Artikulli tjetërTEMPERATURA DERI NË 28 GRADË CELSIUS, PARASHIKIMI I MOTIT PËR DITËN E SOTME