Në tre muajt e parë të vitit bizneset e patën të vështirë të merrnin kredi, si për investime ashtu edhe për likuiditet. Sipas një vrojtimi të kryer nga banka e Shqipërisë për kreditimin e bizneseve dhe individëve, thuhet se bankat kanë qenë të rezervuara në dhënien e kredisë për sipërmarrjet për shkak të pasigurive të shkaktuara.

“Zgjatja e periudhës së pandemisë, së bashku me pasiguritë rreth saj, ndikoi po ashtu në shtrëngimin e standardeve të kreditimit këtë tremujor”, thuhet në vrojtimin e bankës.

Kushtet e shtrënguara janë sa i takon kërkesave më të larta të bankave për kolateral, reduktim i madhësisë së kredisë si dhe kushte të shtuara në marrëveshjet e kredisë. I vetmi tregues pozitiv dhe që është lehtësuar është për zgjatjen e afatit kohor për të shlyer kredinë.

Nga janari në mars 2021 kërkesa për kredi ka qenë e lartë e ndikuar edhe nga garancia e dytë sovrane që do të jetë funksionale deri në fund të qershorit të këtij viti. Sakaq edhe për tre muajit e ardhshëm bankat presin që standardet të jenë të pandryshuara.

Kërkesa më e lartë për kredi pritet të jetë më shumë e përqendruar në financimin e nevojave për likuiditet dhe në segmentin e biznesit të madh.

Ndërsa nga ana tjetër standardet e kreditimit për individët vijuan lehtësimin në tremujorin e parë vitit 2021, si për huanë konsumatore ashtu edhe për atë për blerje banese, dhe këto kushte të favorshme pritet të aplikohen edhe në tremujorin e dytë.

Artikulli paraprakKAPET 4.3 TON KANABIS NË NJË KONTEJNER NË PORTIN E PIREUT NË GREQI
Artikulli tjetërREKORD IMPORTI I ILAÇEVE, NË MUAJIN MARS ARRITI 28.3MLN EURO