Rritja e numrit të vdekjeve, emigracioni dhe rënia e lindjeve rrezikojnë të tkurrin popullsinë e Shqipërisë e cila në janar raportohej në nivelet më të ulëta që prej vitit 1982.
Në Strategjinë Kombëtare për këtë çështje janë paraqitur dy skenarë.
Në atë optimist mund të kemi një rritje deri në 2.9 milionë banorë deri në vitin 2031, ndërsa më pesimisti parashikon një tkurrje të popullsisë deri në 2.5 milionë banorë nga 2.8 milionë që është aktualisht.
Të prekura do të jenë të gjitha qarqet dhe vetëm në dy prej tyre parashikohet të ketë më shumë banorë se aktualisht.
Tirana dhe Vlora në të dy rrethanat do të kenë rritje në të dy skenarët, kryeqyteti me 3.9 për qind dhe në bregdet 1.4. Dibra, Kukësi do të vazhdojnë të zbrazen me të paktën 12 për qind dhe Gjirokastra e Fieri do të kenë 5 për qind më pak banorë.
Në draftin e publikuar për konsultim karriget e mbetura bosh në bankat e shkollës paraqesin gjithashtu një problematikë serioze.
Gjatë pesë viteve të fundit vërehet një reduktim i ndjeshëm i fëmijëve/nxënësve në të gjitha nivelet e arsimit. Aty argumentohet se kjo vjen si rezultat i tkurrjes së popullsisë rezidente, uljes së lindshmërisë si edhe për shkak të migrimeve.
Vetëm në vitin shkollor 2020-2021 numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në arsim, përfshirë edhe parashkollorin, pati një rënie prej 28 000 të rinjsh.