Harta më e saktë 3D e “Rrugës së Qumështit” është gati. Shkencëtarët e Agjencisë Hapësinore Evropiane matën me saktësinë më të madhe deri më tani përmasat e galaksisë sonë, duke shfrytëzuar të dhënat e teleskopit GAIA, që skanon yjet prej vitit 2013.
Përmes këtyre të dhënave, shkencëtarët e ESA-s shpresojnë që të hedhin më shumë dritë dhe të kenë më të qartë mënyrën sesi funksionon dhe lëvizin yjet dhe sistemet yjore në galaksinë tonë.
Falë GAIA-s, ESA thotë se është në gjendje që të përllogarisë me përafërsi për 1.6 milion vitet e ardhshme trajektoret dhe shpejtësinë e lëvizjes së yjeve dhe të zbulojnë me përafërsi se me çfarë përmasash po zgjerohet universi.
Harta e ndërtuar deri më tani nga të dhënat 7-vjeçare të teleskopit GAIA përmban plot 1.8 miliardë yje. ESA e bëri publike përmes një videoje të shkurtër.
“Të dhënat e GAIA-s kanë mundësuar astronomët dhe shkencëtarët të gjurmojnë popullsi të ndryshme yjesh të vjetër dhe të rinj, nga cepat më të largët të galaksisë sonë, tek ajo që njihet si antiqendra e saj”, tha ESA.
Nga projektimet kompjuterike, shkencëtarët kanë arritur në përfundimin se galaksia jonë do të vazhdojë të zgjerohet, teksa yje të rinj lindin. Analizat kanë siguruar gjithashtu edhe të dhëna interesante për qendrën e galaksisë, ku ndodhet edhe një vrimë e zezë.
“Të dhënat na lejojnë që të shohim mbetjet e një disku (qendra e Rrugës së Qumështit) 10 miliardë vite të vjetër dhe kështu ta krahasojmë atë me gjendjen aktuale të këtij disku”, shtoi ESA.
Harta 3D e ESA-s publikohet në një kohë kur një studim japonez doli në përfundimin se Toka është më afër “gëlltitjes” nga një Vrimë e Zezë nga sa mendohej më parë. Sipas këtij studimi, ne po shkojmë drejt vrimës së zezë të vendosur në qendër të Rrugës së Qumështit dhe të quajtur Shigjetari A.
Astronomët japonezë përdorën të dhënat e siguruara në 15 vitet e fundit për të arritur në këtë përfundim. Ata thonë se nga analiza e këtyre të dhënave, sot toka është 25 mijë e 800 vite dritë larg Shigjetarit A, ndërkohë që nga matjet e vitit 1985 ishte 27 mijë e 700 vite dritë larg.
Megjithatë, nuk ka asnjë arsye për panik. 25 mijë e 800 vite dritë larg është një distancë rreth 10 trilionë kilometra. Deri kur Toka ta ketë përshkuar këtë distancë, studime të tjera kanë dalë në përfundimin se do të jetë e pabanueshme.