ISH KRYETARJA E KUVENDIT PRANON REALITETIN E ZGJEDHJEVE, HUMBI KUDO, SHKODRA E VETME. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli shpreh trishtim për rezultatin e Partisë Demokratike në rang kombëtar, ndërsa ironizon deklaratën e kreut të PD-së për fitimin e zgjedhjeve. Topalli i kundërpërgjigjet analizës së Bashës duke thënë se PD nuk ka rritje, por rënie dhe se harta e bashkive në vend është krejt mavi.
Duke i kthyer përgjigje Lulzim Bashës për deklaratën e bërë për rezultatin e zgjedhjeve, Topalli thekson se PD as nuk ka fituar dhe as nuk ka bërë hap të madh përpara. Sipas përllogaritjeve të Topallit, PD ka marrë -11% më pak ose 169 mijë vota sa i takon votimit për kandidatët në 61 bashkitë e vendit. “Jam e trishtuar për rezultatin në shkallë Republike. Zgjedhjet e 21 qershorit 2015 nuk plotësuan standardet , por edhe kjo nuk është se na zuri gafil. Ne nuk kemi fituar dhe as nuk kemi bërë hap të madh përpara. Nëse diferenca është ulur tek kandidatet ajo ka ardhur se vërtetë kemi shtuar vota, por kryesisht se ASHE ka humbur më shumë se kemi shtuar ne. Por edhe tek vota e kandidateve ne jemi minus 11%, apo minus 169 mijë vota”, shprehet Topalli. Ajo nënvizon se, opozita ka pësuar një humbje dërrmuese duke u shpreh se, koalicioni i PD-së ka marrë minus 482 mijë vota. Në fund, Topalli kërkoi që PD të bëjë autokritikë. “Ne kemi humbur në shumicën absolute të bashkive. Harta është pothuaj krejt mavi dhe si PD kemi -20%, ndërkohë si koalicion jemi me minus 482 mijë vota. PD ka një betejë të vështirë përpara. Por, PD duhet të shikojë më shumë nga vetja”, përfundon deputetja e PD-së.