Totozani mbledh komisionin Ad Hoc për KLGJ dhe KLP
Avokati i Popullit, Igli Totozani, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të pavarur “Ad Hoc” për verifikimin dhe vlerësimin paraprak të kandidatëve për anëtarë të KLGJ-së dhe KLP-së nga Avokatia, thirri sot mbledhjen e kësaj strukture, pjesë e Reformës në Drejtësi. Në vijim të punës së kryer deri tani, Totozani i njohu anëtarët e Komisionit “Ad Hoc” me përgjigjet e ardhura nga institucionet shtetërore, në mënyrë të veçantë nga Autoriteti i Dosjeve pas kërkesave për informacion që iu janë dërguar paraprakisht për verifikimin e kritereve ligjore nga ana e kandidatëve. Gjatë mbledhjes së sotme, Komisioni “Ad Hoc” filloi verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore të kandidatëve për KLGJ dhe për KLP nga rradhët e avokatëve. Ky proces do të vijojë edhe në mbledhjen e rradhës, e cila u caktua ditën e enjte, datë 06.04.2017, ora 14:00.