Trafik droge nga Shqipëria në Itali, zbulohet skafi me kanabis me vlerë 4 milionë Euro
Një tjetër rast i trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Itali është zbuluar nga policia italiane. Sipas mediave fqinje, një gomone e fuqishme e nisur nga brigjet shqiptare kaloi ngushticën e Otrantos duke trafikuar kanabis drejt shtetit italian. Trafikantët ndaluan në zonën midis San Foca dhe Torre Specchia në Lecce. Ata synonin të shkonin në bregdetin e San Foca, por gomonia u pikas nga disa banorë të cilët njoftuan më pas policinë. Sipas mediave lokale, trafikantët fshehën në shkurre thasët me drogë, që pas peshimit rezultoi se ishte 700 kg kanabis me vlerë 4 milionë Euro. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të identifikuar trafikantët që kanë transportuar sasinë e madhe të drogës. Nuk dihet nëse ky rast trafiku ka lidhje me makinën e gjetur dje brenda detit në bregdetin e Vlorës. Sipas informacioneve gjatë ditës së djeshme, policia kishte dyshime se fuoristrada me targa amerikane ishte përdorur për të tërhequr varkë apo gomone në det dhe më pas kishte ngecur në ujë. Hetimet e mëtejshme do të nxjerrin nëse këto dy ngjarje janë të lidhur me njëra-tjetrën. Kujtojmë se gjatë ditëve të para të këtij viti, policia italiane ka zbuluar dy raste të trafikut të drogës nga Shqipëria në Itali.