Policia financiare e qytetit të Leçes ka sekuestruar në brigjet italiane rreth 167 kg marijuanë e sapo zbarkuar nga Shqipëria. Ka qënë një avion i Policisë aeronautike, që patrullon këtë territor në kuadër të operacionit “Triton 2015”, i cili ka identifikuar në Kanalin e Otrantos, rreth 16 milje larg qytezës bregdetare San Kataldo, një gomone me në bord tre persona e një “ngarkesë” të dyshuar.

Operacioni i menjëhershëm i policisë financiare të këtij territori ka bërë të mundur gjetjen e mjetin lundrues të sapo mbërritur në këto brigje si dhe një furgon i cili do të merrte në dorëzim “ngarkesën” prej rreth 167 kg marijuanë. Tre skafistët së bashku me bashkëpunëtorët e tyre në bregun italian, kanë braktisur mallin e mjetet në momentin që kanë nuhatur se policia italiane iu është vënë nën gjurmë. Ngarkesa me 167 kg marijuanë ishte hedhur në det nga skafistët me qëllim rekuperimin e mëvonshëm të saj, në territorin mes qytezave Torre Chianca e Fregole në zonën e njohur si “Case Simini” në provincën e Leçes.Ka qënë aksioni i policisë financiare që ka prishur planet e trafikantëve duke i detyruar të braktisin gjithcka për t’i shpëtuar identifikimit e arrestimit të tyre. Brenda furgonit të braktisur është gjetur një telefon celular me mesazhe në gjuhën shqipe, shkruajnë mediat italiane. Prokuroria italiane e qytetit të Leçes ka hapur një proces hetimor për identifikimin e trafikantëve, gjetjen e dërguesve e destinacionin e kësaj lënde narkotike

Artikulli paraprakMAROKENI PLAGOS TRE PASAGJERË NË TRENIN AMSTERDAM -PARIS
Artikulli tjetërMAQEDONIA MOHON KEQTRAJTIMIN E EMIGRANTËVE NË KUFI