Një organizatë trafikantësh droge ku bënin pjesë edhe tre shqiptarë është shkatërruar sot në Itali.
Policia italiane e qytetit të Ternit në bashkëpunim me Policinë e Romës kanë ekzekutuar në orët e para të mëngjesit operacionin e koduar “Montana”.
Nën pranga janë vënë 14 persona, 3 shqiptarë, 7 italianë, 1 peruan dhe 3 tunizianë si dhe janë nën hetim 15 persona të tjerë.
Akuza ndaj tyre është trafik i lëndëve narkotike të tipit kokainë, heroinë, marijuanë, hashash e droga sintetike si dhe armëmbajtje pa leje.
Hetimet e këtij operacioni kanë nisur më vitin 2017 pas kapjes me kokainë të pastër të një korrieri shqiptar që udhëtonte nga Roma në Terni.
Sipas investigimeve italiane kjo bandë përfitonte nga trafiku i drogës qindra mijëra euro në muaj. Baza operative ishte një lokal në qendër të Ternit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 kg e gjysmë kokainë, gjysmë kg marijuanë, 100 gramë hashash si dhe 39 plumba të kalibrit 38 mm special.
Në këtë operacion morën pjesë rreth 150 efektivë policie.