Gjykata e Espo në Finlandë ka dënuar me burg një bandë shqiptare, që akuzohej për veprat penale të trafikut të drogës, armëmbajtjes pa leje dhe vrasjeve të mbetura në tentativë.
Drejtësia finlandeze ka dënuar me 9 vite burg 32-vjeçarin Besnik Shehu, i cili akuzohet për 16.5 kg kanabis dhe 2.7 kg kokainë, të cilën e shpërndante në Suedi.
Sipas aktakuzës, banda e shqiptarëve trafikoi kanabis dhe kokainë nga Suedia në Finlandë në pranverën e vitit 2017.
Besnik Shehu u dënua me 9 vite burgim, më shumë nga të gjithë anëtarët e tjerë të grupit. Ai akuzohej për posedim të 16.5 kilogramëve kanabis dhe 2.7 kg kokainë.
Shqiptari tjetër i dënuar është Albano Dzurkova, ndaj të cilit Gjykata dha vendim 7 vite burgim për posedim të 16.5 kg kanabis dhe 3.6 kg kokainë.Ai akuzohej edhe për armëmbajtje, por përfitoi ulje të dënimit sepse bashkëpunoi me autoritetet gjatë hetimit.
Xhildo Kolaj u dënua me 4.6 vite burgim për posedimin e 16.5 kilogramëve kokainë dhe 200 gramë kokainë, si edhe për armëmbajtje. Edhe Kolaj bashkëpunoi me hetuesit duke përfituar ulje dënimi.
Tre shqiptarët e tjerë janë me rreth dy vite burgim, ndërsa mediat finlandeze nuk i kanë bërë me dije emrat e tyre. Një tjetër person u la i lirë pasi gjykata rrëzoi akuzat ndaj tij. Grupi i shqiptarëve u dënua gjithashtu edhe me gjobë prej 234 mijë Euro kompensim ndaj shtetit.
Javën e kaluar, Policia e Finlandës publikoi statistikat ku theksohej një rritje e numrit të grupeve kriminale shqiptare në vend. Sipas policisë, grupet e shqiptarëve janë të armatosura dhe profesioniste.