Trafiku i plehrave jashtë Italisë, 14 të arrestuar në Siçili, pjesë e mafias
Një operacion policor është kryer nga policia italiane në lidhje me trafikun e mbetjeve. Sipas mediave italiane, 14 persona janë arrestuar në Itali, të cilët akuzohen se janë të përfshirë në trafikun e plehrave jashtë Italisë. Dy prej të arrestuarve janë biznesmenë, babë e bir, të cilët janë pjesë e mafies “Cosa Nostra”. Policia italiane ka vendosur nën sekuestro edhe 6 kompani si dhe asetet e tyre, vlera e të cilave shkon në 50 milionë Euro. Hetuesit thonë se të arrestuarit përfitonin shuma të mëdha parash nga trafiku i paligjshëm i mbetjeve, të cilat i eksportonin jashtë Italisë. Ndërkohë, në Shqipëri ka nisur një debat i madh pasi dyshohet se kanë hyrë në mënyrë ilegale 1300 kontenierë me tonelata mbetje të rrezikshme.