Një tjetër grup kriminal është shkatërruar nga karabinierët falë një hetimi ndërkombëtar mes Italisë, Spanjës dhe Shqipërisë.
Urdhër – arrestet e lëshuara nga një gjykatë në Milano ishin 38, 31 për shqiptarë, 5 marokenë dhe 2 tunizianë, të gjithë të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike. Në sajë të këtij operacioni janë sekuestruar 130 kilogramë drogë, kokainë dhe heroinë, si dhe 300 mijë euro. Hetimet u zhvilluan nga karabinierët e Milanos në bashkëpunim me Policinë Shqiptare, atë Gjermane dhe Spanjolle. Autoritetet i nisën hetimet për këtë rrjet pasi në 2014 – ën, gjatë një kontrolli rutinë policia e Milanos sekuestroi 42 kilogramë heroinë. Pas kësaj hetimet çuan në zbulimin e grupit kriminal, i shpërndarë përgjatë gjithë veriut të Italisë dhe në Shqipëri që importonte sasi të mëdha të heroinës dhe kokainës që vinte nga vendi ynë. Karabinierët bënë të mundur identifikimin e furnizuesëve shqiptarë të lëndëve narkotike, si dhe të korrierëve që trasportonin drogën me makina të modifikuara enkas për këtë punë. Autoritetet italiane, ndër të tjera, bënë të mundur identifikimin e marrësve të drogës në Itali dhe rrjetet e tyre të shpërndarjes, të cilat ishin të përbëra vetëm nga shtetas me origjinë marokene dhe tuniziane.