Fillimi I muajit gusht është shoqëruar me trafik në akset kryesore të qytetit të Shkodrës.
Tashmë jo vetëm në hyrje dhe dalje të qytetit, por fluksi I lartë I mjeteve ka bllokuar lëvizjen në rrugët kryesore duke bërë që drejtuesit e mjeteve të presin të paktën 30 min për të kaluar nga njëri shesh në tjetrin. Gjatë këtij muaji, trafiku bëhet akoma më I rënduar, kjo për shkak të numrit më të madh emigrantëve që kthehen në vendlindje, po ashtu edhe turistëve që kanë qenë të shumtë këtë sezon veror.
Por pavarësisht arsyeve të krijimit të kësaj situate, pamja që të ofrohet në Shkodër është e shëmtuar duke qenë se në disa akse mungon edhe ndërhyrja e policisë rrugore për të shpërndarë trafikun e krijuar kryesisht në kryqëzime. Ndër akset më problematike është ai pranë kinemasë “Millenium”, rrethrrotullimi në sheshin “Demokracia” po ashtu edhe në lagjen “Parrucë” ku mjetet që vijnë nga katër drejtimet bllokohen në shesh dhe në vazhdim në aksin që I lidh me sheshin “Demorkacia” në zonën e njohur si ish – 5 heronjtë.
Në këtë zonë gjatë së hënës ka patur disa raste të bllokimit edhe të ambulancave për shkak të trafikut të rënduar. Situata këto të cilat mund të kushtojnë jetë njerëzish. E njejtë situata vlen edhe për mjetet zjarrëfikëse të cilat në jo pak raste mbeten peng I trafikut të rënduar në rrugët kryesore të qytetit.
Edhe pse pak kohë më parë by pass-I I Shkodrës u hap për të gjithë përdoruesit e rrugës me qëllim që të lehtësojë trafikun që krijohet gjatë verës, duket se drejtuesit e mjeteve sërish zgjedhin të përdorin akset në qytet duke krijuar kështu pritje të gjatë dhe bllokim të qarkullimit në qytet për disa orë.