Forcat e Marinës detare greke kanë bërë të ditur se kanë shpëtuar të paktën 340 emigrantë, pas fundosjes së një barke me qindra persona, 75 km në Jug të zonës detare të Kretës.

Gjithashtu, ekipet e shpëtimit kanë njoftuar se kanë rikuperuar edhe trupat e pajetë të 9 emigrantëve të tjerë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, vlerësohet se në barkën prej druri 25 metra të gjatë, që besohet se mund të jetë nisur nga brigjet e Aleksandrisë së Egjiptit drejt Italisë, ndodheshin rreth 700 vetë. “Kemi dëgjuar që më shumë se 700 njerëz ishin në barkë, kështu që mund të jenë qindra të tjerë ende nën ujë”, tha Joel Millman, zëdhënës i “IOM”-it. Sipas dëshmive të para, thuhet se emigrantët vinin kryesisht nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore. Në operacionin e shpëtimit, që vazhdon ende për qindra emigrantë që konsiderohen të zhdukur dhe që zhvillohet kryesisht në zonën detare që ka nën juridiksion Egjipti, marrin pjesë të paktën 4 anije greke dhe disa të huaja me ndihmën e dy helikopterëve, ndërsa emigrantët e shpëtuar po dërgohen në Itali, Turqi, Maltë dhe Egjipt. Javët e fundit, ngrohja e motit dhe kushtet e favorshme atmosferike në detin Mesdhe kanë çuar në një rritje të numrit të njerëzve, që trafikantët e qenieve njerëzore përpiqen të kalojnë nga Libia në Itali.

Artikulli paraprakPENDOHET KRYETARI I BASHKISE, NUK DOREHIQET!
Artikulli tjetërVLLAZNIA, KONFIRMOHET CUNGU DHE STAFI I TIJ