Ëndrra e ndaluar e Italisë ia doli të vrasë përsëri në një natë furtune me erën që frynte si e marrë dhe temperaturën nën zero.

Pas 16 muajsh “paqeje” që po ashtu i ngjanin ëndrrës, trafikantët i ndezën sërish motorët e gomoneve. Në udhëtimin e saj të parë, që nisi mbrëmjen e 9 janarit nga bregdeti i Vlorës, një gomone 12 metra e gjatë me 31 persona në bord mbeti në kurth, aty mes dallgëve. Njëzet nga udhëtarët e saj, – 17 burra dhe 3 gra – u gjetën mëngjesin e 10 janarit nga një helikopter i Nato-s së ushtrisë italiane: të ngërthyer njëri pranë tjetrit, në një pellg uji të kripur dhe benzine, vdekur nga të ftohtit. Njëmbëdhjetë të tjetërt shpëtuan. Ishin në grahmat e fundit, por ishin gjallë. Mes tyre edhe dy skafistët, që u arrestuan menjëherë së bashku me disa funksionarë të lartë shtetërorë shqiptarë, e që akuzohen tashmë si shkaktarët e tragjedisë. Alarmi i parë u dha në mbrëmjen e 9 janarit, kur një telefonatë nga Shkodra i sinjalizon policisë një avari në gjirin e Vlorës. Deti me dallgët pothuaj 5 metra të larta, i pengoi mjetet e shpëtimit të mbërrinin në vendngjarje. Të paktën kështu u tha. U tha edhe që forcat e rendit vetëm pak orë më parë ishin sinjalizuar për një tjetër gomone, të ngarkuar me drogë, që ishte nisur po ashtu nga bregdeti i Jonit. U mendua se bëhej fjalë për të njëjtën gomone. Por sinjalizimet vazhduan, deri në një thirrje dramatike që u lëshua nga një celular, pikërisht nga bordi i gomones. Drejtpërsëdrejti në kanalin televiziv Top channel, një nga skafistët kërkonte ndihmë. Nën një emocion të drejtpërdrejtë mijëra shqiptarë ndalën frymën. U thirrën për ndihmë italianët dhe grekët. Nga Durrësi u nis një motobarkë e kalibrit të rëndë, ndërsa nga baza e Nato-s në Brindizi u ngrit një helikopter. Në detin që nuk desh të qetësohej dhe erën me një fuqi deri në 50 nyje, kërkimet përfunduan vetëm mëngjesin e së nesërmes. Rreth orës 8.45 pilotët kanë dalluar më në fund gomonen me të mbijetuarit. Më pas, përmes mjergullës që mbulonte atë pjesë të detit, zbuluan se nën këmbët e atyre që shkundnin duar e këmbë e ulërinin për të kërkuar ndihmë, qëndronte një kapicë kufomash. Për ta ndihma kish mbërritur me vonesë. Përmasa e tragjedisë u rrok vetëm në orët e para të pasdites, kur gomonia me ngarkesën makabre u rimorkiua deri në bazën ushtarake të Sazanit. Njëzet shqiptarët, përpara se të vdisnin të cfilitur nga uji dhe thëllimi, ishin mbërthyer me dëshpërim në litarët që përshkonin gomonen për të shmangur rënien në det. Mes trupave pluskonin çanta, valixhe, qese plastike të mbushura me sende pesonale: fërtele kujtimesh. Gomonia, pothuaj fringo e re ishte blerë në Greqi vetëm pak ditë të shkuara. Dy motorët e fuqishëm me siguri janë shkrirë gjatë përpjekjeve për të lundruar me një ngarkesë aq të rëndë në mes të një stuhie detare.

Artikulli paraprak“3 HERONJT”, BANORËT: TË RREZIKUAR NGA KABLLOT ELEKTRIK
Artikulli tjetërBASHKIA VAU DEJES, INVESTON PËR SINJALISTIKËN RRUGORE